Shkruan Selim Iljazi
E keqja më e madhe e shoqërisë në Maqedoni, i ka ardhur nga degradimi i inteligjencës. Ky degradim i ka krijuar kushte të favorshme kësaj politike, që gjendet në humbje të gjithanshme, dhe ka lejua me u sjell si të dojë me fatin e popujme që jetojnë në Maqedoni. Ky degradim ka coptua idealet dhe sot, politika është bërë ushqim i përditshëm për popullin në vend.
Kultura, është margjinalizuar, ndërkaq njerëzit e kulturës, trajtohen si për gjynah. Nuk ka mundësi Maqedonia me ec drejt përparimit, pa pas edukatorë, njerëz të kulturës, njerëz të dijes, që dinë ta ushqejnë me vlera të njëmendta. Është tashmë fakt i pranuar se politika ka ngulfatur çdo gjë. Ne shohim se si njerëzit e koniunkturave të ndryshme varin maska dhe atyre u besohet verbërisht. Këtu bëjnë pjesë edhe disa pseudo-politikan, që të vetmen gjë që e bëjnë mirë për vendin, është mjegullnaja dhe plogështimi i shoqërisë.
Në Maqedoni, ende nuk shihet një frymë e re, as në media, as në kulturë, as në sferat e tjera, që do t’i thoshte me dije dhe alternativa STOP të keqes dhe njëkohësisht do të shfaqte alternativa e ide të menduara mirë. Politika ka përgjumur edhe atë klasë intelektuale që kemi pasur. Një pjesë e ka futur nën sqetullat e pushtetit dhe e ushqen me ndonjë kockë, sa për t’ia mbyllur gojën.
Një pjesë e ka katandisur në mjerim ekonomik. Mediat dhe analistët e shumtë janë ose mediokra, ose shfaqen me ide rrënuese. Nuk mjafton vetëm të kritikohet ky sistem dhe ky pushtet.
Duhet dhënë alternativa e ide të qarta si dilet nga kjo gjendje. Opinioni publik është i uritur për ide kreative dhe ndërtuese. Në këtë sens, e shoh tejet shqetësues fakti se edhe ato pak ide te ndryshme qe shfaqen në politikë e herë pas here edhe në media, s’kanë substancë, janë jashtë çdo realiteti dhe pak duken të jenë qëllimmira.
Maqedonis, i mungon një klasë intelektuale, që duhet të dalë dhe të jep alternativa të shëndosha e të motivuara nga idealet e mirëbërësisë. Kjo gjendje ka bërë që ideali i njerëzve tanë të jetë fudullëku, pushteti pa meritë, dija pa kritere, arritja pa mund, karriera pa punë. Këto vese, na kane çorientuar gjithë sistemin. Një kastë mediokrish e rrahagjoksësh drejtojnë vendin, ndërkohë që partitë, mediat, institucionet akademike dhe arsimore janë shndërruar në ndërmarrje që prodhojnë numër dhe jo cilësi.
Çfarë i duhet shoqërisë sonë në Maqedoni? Këtë pyetje e shtrojnë idealistët e paktë, që me ankth e shqetësim shestojnë rrokullisjen e shoqërisë sonë në mizerie morale, që zënë fill me debatet absurde në parlament dhe aneminë e opozitës për të dhanë një ide shtytëse më të shëndoshë e më progresive. Po këtë anemi, e ndeshim edhe në sferën e përgjithshme publike, te shoqëria civile, mediat dhe intelektualët. Andaj, Maqedonis më shumë se kurrë, i duhet një ide e re shoqërore, që i del përballë të keqes që ka triumfuar kudo. Kjo s’është e lehtë, por s’është e pamundur. Duhet një ide e mirë, që pikësynim ka interesat e përgjithshëm dhe të mirat e përbashkëta. Kjo filozofi ndërton ideale të përbashkëta. E kjo behet nëpërmjet një klase të shkolluar mirë dhe me parime të shëndosha humane, nëpërmjet një inteligjencie që është e aftë dhe e guximshme m’i këput zinxhirët e mendjes.
Maqedonia, duhet ta flakë idenë se shteti jeton për vete dhe luksin e tij. Vendi duhet të ushqehet me ide të tjera, me ide kulturore e ideale kulturore.