Popullsia e Japonisë ishte 125.5 milionë që nga 1 tetori 2021, me një rënie rekord prej 644 mijë banorë krahasuar me një vit më parë, raportuan mediat lokale të shtunën, shkruan AA.

Rënia u regjistrua në shumicën e prefekturave të vendit, citoi agjencia e lajmeve Kyodo, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komunikimeve.

Kryeqyteti Tokio përjetoi rënien e parë të popullsisë në 26 vite.

Në qershor 2021, Japonia ka raportuar rënie të popullsisë së saj me 0.7 për qind gjatë pesë viteve të fundit, duke rënë për herë të parë që nga viti 1950 nga 10 vendet kryesore të botës për sa i përket numrit të popullsisë.

Gjithashtu rënie ka edhe në numrin e popullsisë së fëmijëve të vendit, ndërsa shifrat treguan se Japonia ka regjistruar rënie të vazhdueshme të popullsisë së fëmijëve gjatë 40 viteve të fundit, duke e lënë ekonominë e tretë më të madhe në botë të përballet me një popullsi në plakje.

Japonia është gjithashtu ndër 33 vendet me përqindjen më të ulët të popullsisë së fëmijëve, së bashku me Korenë e Jugut dhe Italinë.