Dëshira e elektoratit ishte plotësuar. Vjosa Osmani u nominua kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së. Por kjo, nuk i ka dhënë shumë të mirë matematikisht vet kandidates më të përfolur në këto zgjedhje. Nga zgjedhjet e 6 tetorit pritet të përfitojnë dy personat që Osmani i kishte kundërshtarë të rreptë brenda partisë.

Vjosa Osmani, kandidatja e parë femër për kryeministre të Kosovës doli si marrëveshje e brendshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta shmangur përqarjen, shkruan lajmi.net.

Osmani, ishte edhe e preferuara e elektoratit të LDK-së. Ani pse jo pa zhurmë, pothuajse të gjithë u pajtuan së paku publikisht se Osmani ishte e duhura për këtë “detyrë”.

Qarkulluan fjalë, deklarime e raportime, se nënkryetarët e kësaj partie dhe kryetari nuk ishin pro saj plotësisht, por kjo ishte “e keqja më pak e mundshme”.

Kandidatura e saj ishte kompromisi i dytë i dhimbshëm për shumicën e krerëve të LDK-së, pas zgjedhjes së Isa Mustafës në pozitën e kryetarit të partisë – pozitë të cilën po e synonin edhe nënkryetarët e kësaj partie, njëlloj si atë të kandidaturës për kryeministër.

LDK nuk i fitoi zgjedhjet. E në këtë situatë, Vjosa Osmani po del të jetë humbsja më e madhe.

Vet Osmani në një paraqitje televizive është shprehur se deklaratat që ajo nuk i merr vendimet e kanë dëmtuar shumë, e në anën tjetër kur po zhvillohen bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje ajo nuk është fare e pranishme.

Lutfi Haziri është përfshirë në ekipin negociues me Vetëvendosjen, e vendimin përfundimtar e merr Isa Mustafa, ndërsa për Osmanin iu kishte dalë kohë t’i cakonin pozita edhe Lëvizja Vetëvendosje – kjo një dëshmi që fliste se ajo nuk gëzonte përkrahjen e partisë.

Në këtë situatë, kur po dialogohet mes të dy partive potencialisht qeverisëse në legjislaturën në ardhje, aty përveç ndarjes së posteve ministrore po flitet edhe për pozitën e presidentit e cila lirohet pas dy viteve.

Isa Mustafa, kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka pohuar në paraqitje televizive se do të ishte gjë e mirë të përmbyllte karrierën politike si president i Kosovës.

E si duket, posti i Presidentit të Kosovës po del të jetë çelësi i marrëveshjes midis LDK-së dhe VV-së, pasi Mustafa me lehtësi dje ka pranuar se kryeministri do t’i takojë Vetëvendosjes.

E nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri kjo do t’i konvenonte poashtu. Hazirit do t’i lëshohej pozita e të parit të LDK-së, meqenëse Mustafa si president do të duhej të dorëhiqej nga kjo pozitë.

Në anën tjetër, Vjosa Osmani është përfolur si ministre e jashtme e Kosovës dhe si kryeparlamentare – poste për të cilat ajo vet duket jashtëzakonisht e pakënaqur.

Se po diskutohet për presidentin nuk është mohuar kategorikisht as nga Vetëvendosje e as nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kandidatura e Vjosa Osmanit për kryeministre të vendit bëri shumë bujë, por kjo si duket është kalkuluar më thellë se që është paramenduar nga krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.