Prej sot, 1 janar 2017, shfrytëzuesit e transportit publik duhet detyrimisht të posedojnë kartelë elektronike edhe për vozitje në automjetet e transportuesve privat.

“Kartela elektronike mund të merret në të gjitha vendet shitëse të NPK Shkup, në vendet shitëse shtesë të rrjetit për shitje në 50 lokacione të ndryshme dhe në të gjithë autobusët e NPK Shkup dhe transportuesit privat”, informon Qyteti i Shkupit.

Me hyrjen në fuqi të sistemit të integruar tarifor, Qyteti i Shkupit solli vendim për periudhë promovuese prej një muaji, me ç’rast me çdo kartelë të blerë elektronike të jopersonalizuar pasojnë pesë vozitje pa pagesë.

“Nëse dëshironi të përdorni transport publik të qytetit, detyrimisht duhet të keni kartelë elektronike apo kuletë të plotësuar elektronike”, kumtojnë nga Qyteti i Shkupit.

Për vozitje të vetme do të shfrytëzohen kartelat elektronike, të cilat do të shërbejnë si një lloj i kuletës elektronike për blerje të biletës në autobusët e NKP Shkup. Për atë qëllim udhëtarët paraprakisht do të duhet të plotësojnë mjete në vendet e autorizuara të shitjes. Shuma minimale për plotësim është 100, ndërsa maksimalja 6.000 denarë, pa afat të shfrytëzimit.

Qytetarët përmes celularit të tyre do të mund të blejnë biletë për një vozitje për të gjitha linjat dhe biletë të natës për një vozitje, gjithashtu për të gjitha linjat.

Prej sot filloi shfrytëzimi i kartelave elektronike në NPK Shkup.