Prej sot Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do ta vendosë në shqyrtim publik listën e zgjedhësve. Lista e zgjedhësve do të shpërndahet në 34 njësi rajonale të KSHZ-së, ndërsa në 15 ditët e ardhshme qytetarët do të mund të kontrollojnë a gjenden në listë dhe a janë të dhënat e tyre të sakta, por edhe do të mund të denoncojnë parregullsitë eventuale. Lista e zgjedhësve do të publikohet edhe në faqen e internetit të KSHZ-së. Anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi thotë se Komisioni është i gatshëm t’i zgjidh parregullsitë që eventualisht mund të dalin nga shqyrtimi publik i listës.

“Ne realizuam metodologji për pastrimin e listës së zgjedhësve, ndërsa nëse pas shqyrtimit vërehen parregullsi tjera, jemi të gatshëm të ballafaqohemi me to, në mënyrë që me 9 maj kur të përfundojë shqyrtimi publik ta shohim edhe realitetin e kësaj liste të zgjedhësve”, tha Subhi Jakupi, anëtar i KSHZ-së.

Misioni mbikëqyrës i OSBE dhe ODIHR në raportin preliminarë para zgjedhjeve të caktuara më 5 qershor, shënon se KSHZ punon në atmosferë të tensionuar politike, ndërsa ndryshimet e vonuara në kodin zgjedhor munden të ndikojnë negativisht.

“KSHZ punon në atmosferë të tensionuar politike, ndërsa ata janë përgjegjës vetëm për listën e zgjedhësve. Procesi i pastrimit të listës është i ndërlikuar me sfida metodologjike dhe ka nevojë për resurse të mëdha”, njoftojnë nga OSBE/ODIHR.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vendit do t’i kushtojnë 7.5 milionë euro. Sipas kalendarit, më 14 maj lista u dorëzohet partive politike, ndërsa më pas deri më 19 maj duhet të dorëzohen kërkesa dhe ankesa. Afatet obligojnë që deri më datë 26 të muajit të ardhshëm të ketë listë përfundimtare të zgjedhësve. Fushata parazgjedhore duhet të fillojë me 16 maj. Pikërisht pastrimi i listës së zgjedhësve ishte shkak për debate të ashpra mes pushtetit dhe opozitës. Përgatitjet në KSHZ për procesin e zgjedhjeve tani bëhet pa praninë e anëtarëve të LSDM-së të cilët e braktisën punën e Komisionit, pasi vlerësuan se lista nuk është e pastruar dhe nuk garanton zgjedhje të drejta dhe demokratike. Ata këtyre ditëve reaguan edhe për atë se zëvendësministri i punëve të brendshme Mitko Çavkov deri te Komisioni ka dorëzuar listë të zgjedhësve e cila nuk ka qenë e nënshkruar nga ministri Oliver Spasovski. nga Kabineti i Spasovskit reagojnë se me veprimin e tillë, Çavkov ka bërë shkelje ligjore dhe ka shkelur Marrëveshjen e Przhinos, ndërsa qytetarët vihen në huti se lista e zgjedhësve është pastruar.