Pagat në Maqedoni janë mizerje, por a mund realisht të rriten? Ekspertët janë optimist, por vetëm nëse ndodhin reforma thelbësore në politikat ekonomike, shkruan DW në gjuhën maqedonase.

Pagë mesatare prej 30 mijë denarëve, deri në 60% pagë minimale më të madhe se ajo e tashmja 10.080 denarë. “Qumësht dhe mjaltë” po rrjedh nga foltoret në fushatën parazgjedhore në adresë të votuesve.

Por shtrohet dilema sa këto premtime janë të realizueshme dhe për çfarë çmimi?

“Këtë që po e dëgjojmë është flirt përballë votuesve, edhe pse realisht ka hapësirë për t’u rritur pagat, me përjashtime të vogla. Parakusht që kjo të ndodhë është rritja e pagës minimale, por me kusht që paralelisht të tërheq edhe përmirësime në kategori tjera. Në të kundërtën, asgjë s’kemi bërë”, ka deklaruar Pece Risteski, kryetar i Sindikatit të punëtorëve në industri, energjetikë dhe xehetari.

Nga ana tjetër për ekonomistin Branimir Jovanoviq është e paqartë në çka bazohet premtimi i partive politike për rritjen e pagave.

“Duhet t’i mundësohet ndërmarrësisë që të punojë normal dhe të gëzojë se paku trajtim identik me investitorët e huaj. Nëse është qëllimi vetëm administrata publike atëherë shumë lehtë mund të rregullohet, por çështja është për çfarë çmimi? Do të hyjnë në borxhe qytetarët dhe do të rritet buxheti. Kjo është vetëm populizëm që do të bie në kurriz të ndërmarrësisë dhe qytetarëve”, tha Jovanoviq.

Sipas tij, prapë, mirë është që një numër i madh i partive në agjendat e tyre politike kanë masa për rritjen e pagës minimale, që tregon se është rritur vetëdija për problemet e punëtorëve.