Presidenti Joe Biden reagoi ndaj votimit të Senatit për ta shpallur të pafajshëm ish-presidentin Donald Trump duke thënë se të gjithë amerikanët, veçanërisht udhëheqësit e vendit, kanë detyrën dhe përgjegjësinë “të mbrojnë të vërtetën dhe të mposhtin gënjeshtrat”.

Presidenti Biden tha se duke vepruar në këtë mënyrë, ” përfundojmë këtë luftë të paqytetëruar dhe shërojmë shpirtin e kombit tonë. Kjo është detyra që kemi përpara. Dhe është një detyrë që duhet ta ndërmarrim së bashku”, transmeton VOA.

Presidenti i ri gjithashtu tha se, “dhuna dhe ekstremizmi nuk kanë vend në Amerikë”.

Shtëpia e Bardhë publikoi këtë deklaratë të Presidentit Biden të shtunën vonë, disa orë pasi Senati nuk arriti të sigurojë dy të tretave e votave të nevojshme për të dënuar zotin Trump nën akuzën për nxitje të sulmit ndaj Kapitolit.

Duke analizuar sulmin në Kapitol dhe rolin e zotit Trump në të, Presidenti Biden tha se, “ky kapitull i trishtuar” në historinë amerikane është një kujtesë se demokracia është e brishtë dhe duhet të mbrohet gjithmonë.

Ai gjithashtu tha se kombi “duhet të jetë gjithnjë vigjilent”.