Presidenti grek Prokopis Pavlopulos paralajmëron Shqipërinë çështja e pronave të minoritetit grek në Himarë mund ti shkaktojë zgjatje të procesit të antarësimit në Bashkimin Europian. Paralajmërimin zgjodhi ta bëjë në një gazetë serbe.

Presidenti grek Prokopis Pavlopulos nuk harroi të dërgojë mesazhe kërcënuese për Shqipërinë, as në vizitën e tij zyrtare në Serbi.
Në një intervistë për të përditshmen serbe “Politika”, Pavlopulos solli edhe një herë në vëmendje prishjen e banesave të pjesëtarëve të minoritetit grek në Himarë, që sipas qeverisë shqiptare janë ndërtuar pa leje.
Presidenti grek shprehet se autoritetet shqiptare po shkelin të drejtat themelore të njeriut dhe kjo mund të pengojë rrugën e Shqipërisë për t’u antarësuar në Bashkimin Europian. Sipas Pavlopulosit, shkelja brutale e të drejtave themelore të njeriut, në veçanti ajo e pronës, është në kundërshtim me konventat europiane dhe minon perspektivën e antarësimit në Bashkimin Europian.
Të njejtat paralajmërime për Shqipërinë i ka bërë më herët edhe ministri i jashtëm grek Nikos Kocias. Paralajmërime, Pavlopulosi kishte edhe për Maqedoninë, për të cilën i vuri si kusht procesin e integrimit europian për të lëshuar pe në çështjen e emrit. Në intervistën e tij, Presidenti i Greqisë foli edhe për marrëdhëniet e vendit të tij me Serbinë, me Turqinë dhe për rajonin.