Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte tha se ka besim në vaksinën ruse kundër coronavirusit dhe është i gatshëm si vullnetar të bëjë testimin.

“Unë vullnetarisht do ta marrë atë në publik. Unë do të jem i pari që do të eksperimentohet”, tha Duterte, raporton CNN.

Presidenti rus Vladimir Putin të martën njoftoi miratimin e një vaksine kundër COVID-19, duke e reklamuar si “të parën në botë”, transmeton Telegrafi.

Disa udhëheqës shëndetësorë të SHBA-ve dhe ekspertë të vaksinave kanë shprehur skepticizëm nëse vaksina është provuar të jetë e sigurt dhe efektive.

Asnjë e dhënë nga provat njerëzore të vaksinës nuk është publikuar dhe ajo ende nuk ka kaluar nëpër testime të fazës së tretë.

“Unë besoj se vaksina që (Rusia) ka prodhuar është me të vërtetë e mirë për njerëzimin”, tha Duterte.

Ai më tutje tha se vendi i tij do të merrte përparësi në vaksinat për shkak të marrëdhënies së saj me Rusinë.