Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Republikën e Çekisë, do të realizojë takime me kryeministrin çek, Andrej Babish dhe me kryetarin e Dhomës së Deputetëve, Radek Vondraçek.

Ivanov dje me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake u prit nga presidenti çek, Millosh Zeman.

Pas takimit, duke e komentuar referendumin e pasuksesshëm të 30 shtatorit, Ivanov bëri thirrje për përgjegjësi.

Në pyetjen për të komentuar Marrëveshjen me Greqinë, presidenti çek Zeman deklaroi se nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë, por u bëri thirrja të dyja palëve të vazhdojnë me negociatat.

“Kjo mund të zgjasë shumë, por shpresojmë se këtë kontest do të arrini ta zgjidhni”, deklaroi Zeman në konferencën për shtyp.

Mbrëmë në Pragë, presidenti Ivanov realizoi takim edhe me kryetarin e senatit çek, Millan Shteh.

Bashkëshortja e presidentit të Republikës së Maqedonisë, Maja Ivanova, sot në kuadër të programit të zonjave, do ta vizitojë Institutin nacional për autizëm – NAUTIS në Pragë.