Zgjidhja e kontestit për emrin duhet të jetë lart në agjendën e qeverisë së re të Maqedonisë, porositi ndërmjetësi i KB-së Methju Nimic në kontestin për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, raporton MIA.
Në intervistën për gazetën greke “Riël njuz””, Nimici theksoi se pret që të formohet qeveria e re në Maqedoni dhe të fillojnë bisedime serioze për zgjidhjen e problemit, i cili ekziston mes Athinës dhe Shkupit. Zgjidhja e këtij problemi, sipas tij mund të ndihmojë që të tejkalohen edhe probleme tjera në rajon.

“Mandatin që e kam për zgjidhjen e kontestit për emrin është çelësi që do ta hapë derën që të zgjidhen edhe probleme tjera kontestuese në rajon. Kontesti mund të zgjidhet nëse edhe dy vendet dhe liderët e tyre marrin mbështetje nga popujt e tyre, nëse shikojnë diçka që është logjike, që do ta mbajë dinjitetin e dy vendeve, identitetin e dy vendeve, kuptimin historik të dy vendeve. Mendoj se ekzistojnë zgjidhje”, thotë Nimic.

Ai i vlerëson si të rrezikshme dhe të gabuara të gjitha bisedimet dhe idetë për ndërrim të kufijve, sidomos në Ballkan.

“Kufijtë duhet të mbeten atje ku janë dhe mendoj se atë që e quajmë IRJM është një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, i njohur si shtet nga të gjithë fqinjtë e saj”, thekson Nimic.

Ai apelon deri te shqiptarët në Maqedoni që të jenë qytetarë lojalë, të kontribuojnë për funksionimin e shtetit dhe të punojnë në drejtim të zgjidhjes demokratike të problemeve”.