Edhe përkundër temperaturës -11 gradë celsius, disa qindra qytetarë e pritën ndërrimin e motmotit, në sheshin “Jadran” të Shkupit, me dëshirën që viti 2017 të sjellë më tepër begati. Festa ishte spontane, pasi në shesh nuk kishte asnjë ngjarje të organizuar, sikurse ishte paralajmëruar nga autoritetet e qytetit. Disa prej qytetarëve të intervistuar thonë se iu mungon atmosfera, dhe do të donin që pavarësisht krizës politik e ekonomike, të mos e humbnin traditën.

“Viti i kaluar për mua ishte shumë i keq për shkak të situatës së varfërisë, në përgjithësi ishte vit i keq. Mendoj se duhet të ketë pritje të viti të ri, sepse populli duhet disi të argëtohet, fundi fundit është viti i ri duhet të ketë atmosferë.”

“Vitin e ri do ta festoj në Shkup, pres vit edhe më të mirë dhe më të suksesshëm. Por sivjet nuk ka pasur organizim këtu në Shkup si viteve të tjera, por mirë, atmosfera është e mirë.”

Ndërrimi i motmotit u shënua në mënyrë simbolike edhe në Tetovë. Edhe pse nuk kishte organizim të veçantë në qendër të qytetit, prapëseprapë qytetarët e Tetovës dolën në shesh për të pritur ardhjen e vitit 2017.

“Politika të ndryshojë dhe të ketë më tepër ambicie, të kemi një shpresë më të madhe për të ardhmen. Mos të mbesim me këtë shpresë të vitit 2016 me krizë politike, krizë ekonomike, pa shpresë, pa ardhmëri. Thjesht mos të kemi shikimin kah Evropa për tu larguar por ta biem Evropën në Maqedoni”.
“Të ketë më tepër punë sepse e shoh se rinia këtu krejt janë pa punë. Kjo është më kryesorja.”

Festime të vakëta edhe në Strugë, ku qytetarët gjithashtu reflektonin të njëjtën gjendje sikurse kudo në Maqedoni, këtë vit.

Ndërkaq, festë më e zjarrtë në kryeqendrat e tjera shqiptare. Në Tiranë, në sheshin “Nënë Tereza”, qielli u përflak nga fishekzjarrët, ndërkohë që e njëjta atmosferë dhe dalje masive qytetarësh u përjetua edhe në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës. Qytetarët shqiptarë të të dy trevave shprehen se presin të ketë më shumë paqe dhe dashuri mes njerëzve.

Blerim Ismaili