Debati televiziv në Tribuna Channel ku debatues ishin Ahmet Hasani anëtar i grupit inicues për formimin e forumit të intelektualëve Shkupi 21, Qani Mehmedi gazetarë dhe njohës i mirë i rrethanave politike në Maqedoni si dhe Remzi Mehmedi, kryetar dege në Kërçovë i partisë që udhëhiqet nga Ziadin Sela , ishte shkak që trazoi shpirtrat e njerëzve kryesor të lëvizjes Besa dhe ishte pikënisje e një debati të ashpër që zhvillohet në media ditëve të fundit ndërmjet dy lëvizjeve të reja në skenën politike në Maqedoni. Fillimisht, Zeqirja Ibrahimi me opinionin e tij në gazetën Koha drejtoj akuza ndaj një grupi të intelektualëve shqiptarë nga Maqedonia që veprojnë dhe jetojnë në Kosovë, si dhe ndaj kryetarit të degës së Kërçovës, të Lëvizjes për Reforma duke akuzuar këtë të fundit pse ky nuk e ka mbrojtur lëvizjen Besa në emisionin në fjalë kur nga anëtari I grupit inicues për formimin e forumit të intelektualëve Shkupi 21 z. Ahmet Hasani ka thënë opinione që nuk i paskan pëlqyer Zeqirja Ibraimit rreth lëvizjes Besa, ku z. Hasani në një rast këtë lëvizje e quan , “ Lëvizje Haxhi Qamiliste” Për të mos mjaftuar vetëm reagimi i z. Ibrahimi me opinionin e tij “Nga Isuf Qamili te Haxhi Qamili”, edhe eksponent tjerë shumë të rëndësishëmtë Lëvizjes Besa bëhen pjesë e solidarizimit me “Zekën” ku si tifoz paraqitet edhe Afrim Gashi i cili këtij reagimi në profilin e tij i shton : “Zeka, Ilaçi i Enveristëve” duke etiketuar si Enveristë të gjitha ata që kanë rezerva ndaj përcaktimit politik të Lëvizjes Besa. I menjëhershëm ishte edhe kundërreagimi i Kryetarit të degës së Kërçovës të “reformistëve” Remzi Mehmedi që me anë të kundër reagimit i përgjigjet Zeqirja Ibraimit të Besës. Poashtu edhe eksponent tjerë të lartë të Lëvizjes për reforma shkojnë edhe më larg me tifozllëkun e tyre sa që reagimit të Remzi Mehmedit I shtojnë edhe shtojcën “ Ky Çekiç për turkmongolët”. Për hir të korrektësisë , profesionalizmit dhe mbajtjes së neutaralitet në këtë debat fol.mk ju sjell të plota reagimet e të dyja palëve pa ndërhyrje duke mos mbajtur përgjegjësi dhe duke ua bërë të ditur lexuesve se këto reagime nuk janë pjesë e politikës redaktuese të fol mk.

NGA ISUF QAMILI TE HAXHI QAMILI

zeqirija-1-640x425Shkruan: Zeqirija Ibrahimi

Ta legjitimosh krimin, korrupsionin, amoralitetin, vjedhjen, ryshfetin, vrasjen e shqiptarëve dhe burgosjen e tyre me burg të përjetshëm dhe këtë ta bësh në emër të një shqiptarie të shpifur, duke i akuzuar të tjerët si antishqiptarë – si “Haxhi Qamilë”, kjo le që është diletantizëm intelektual, por edhe flet se sa smirëzinj dhe sa dashakeqë janë ata për kombin e tyre .

Ishin mbledhur javën që shkoi në Prishtinë disa të ditur dhe intelektualë dhe kishin diskutuar gjerë e gjatë për çështjen e shqiptarëve në Maqedoni. Ndonëse detajet e takimit nuk i pashë të publikuara gjëkundi, ajo që më ra në sy ishte një debat që atë ditë, si uverturë e takimit, ishte organizuar po ashtu në një TV të Kosovës, ku merrte pjesë një gazetar i Kërçovës, që prej vitesh jeton në Prishtinë, pastaj një funksionar i lartë i një partie opozitare për reforma nga Maqedonia dhe një tjetër “intelektual” që kishte marrë rolin e gjykatësit që të gjykojë se kush janë shqiptarët e mirë dhe gjysmëshqiptarët ose, edhe më keq, antishqiptarët në Maqedoni.

Dhe, aty nuk ishte i rëndësishëm debati, sepse ata që akuzoheshin as nuk ishin ftuar e as që u ishte dhënë e drejta e mbrojtjes, por duke luajtur rolin e prokurorit dhe të gjykatësit, pjesëmarrësit në emision shpallnin verdiktin se shqiptaria në Maqedoni nuk qenka e rrezikuar nga kriminelët, të korruptuarit e mashtruesit në pushtet, porse shqiptaria qenka në rrezik për shkak të “lëvizjeve haxhiqamiliste” – duke aluduar me këtë rast në Lëvizjen BESA. Sa e lëshonte njëri, e merrte tjetri, ndërsa përfaqësuesi i partisë opozitare shqiptare (që as nuk u distancua nga ato akuza, as nuk i mohoi), që e ka gojën plot bashkëpunim opozitar, rrinte heshtur dhe sa nuk zgërdhihej që ai nuk kishte nevojë të shante, sepse atë argatllëk e kryenin dy pjesëmarrësit e tjerë në emision. Megjithëse kjo është një dëshmi më shumë se bashkëpunimi opozitar nuk do të ndodhë dhe kjo për faktin se partia shqiptare në pushtet është kujdesur mirë që kjo të mos ndodhë, duke ndezur zjarrin e urrejtjes së asaj partie opozitare kundër Lëvizjes BESA (ajo parti nuk merret as me pushtetin e as me partinë që dëshiron ta reformojë, sa merret me BESËN), kjo nuk është pjesa më e rëndësishme e këtij diskutimi.

“Haxhi Qamili” ose legjitimimi i krimit

Ajo që është e rëndësishme dhe që duhet të vihet në pah është akuza për haxhiqamilizëm. Ndonëse dyshoj se ata që e shqiptojnë këtë e dinë saktë se çfarë ka qenë puna me Haxhi Qamilin (një fshatar donkishot i Shqipërisë së Mesme, që u ngrit kundër Princ Vidit për ta rikthyer sulltanin), por ato leksione mund t’i mësojnë mbase, e rëndësishme ishte se ky debat, si edhe ai që u organizua para do kohe në Shkup nga partia shqiptare në pushtet, natyrisht i kamufluar mirë nga një organizatë zvicerane-shqiptare, kanë qëllimin e njëjtë: të ngrenë alarmin se Lëvizja BESA është lëvizje politike antishqiptare dhe prandaj më mirë të votohen kriminelët, të korruptuarit, të pamoralshmit, të paditurit dhe të egrit e pushtetit sesa “antishqiptarët”. Dhe, më mirë se mund të bëhej kjo nga “mendjendriturit” e kombit në Prishtinë dhe, aq më shumë nga ata të mërgatës, nuk mund të bëhej ndryshe. Ta legjitimosh krimin, korrupsionin, amoralitetin, vjedhjen, ryshfetin, vrasjen e shqiptarëve dhe burgosjen e tyre me burg të përjetshëm dhe këtë ta bësh në emër të një shqiptarie të shpifur, duke i akuzuar të tjerët si antishqiptarë – si “Haxhi Qamilë”, kjo le që është diletantizëm intelektual, por edhe flet se sa smirëzinj dhe sa dashakeqë janë ata për kombin e tyre. Në botën e qytetëruar nuk ka asnjë arsye të shëndoshë që e legjitimon krimin dhe vrasjen. Por, këtë e bëjnë bukur vetëm enveristët, që – siç po merret vesh së fundi – në emër të këtij makiavelizmi i kanë vrarë edhe shokët e tyre në luftë dhe pas lufte, kanë abuzuar me fondet e mërgatës shqiptare dhe sot e spiunojnë njëri-tjetrin dhe e fusin në burg.

Skënderbeu vs. “Skënderbeu”

Mund të duket patetike dhe e personalizuar, por këta enveristë duhet ta dinë se nëse ata mendojnë se shqiptarët e Maqedonisë duhet të shfetarizohen që të bëhen shqiptarë të mirë, le që e kanë huqur krejt, sepse kjo nuk do të ndodhë kurrë, por nuk duhet të harrojnë se ashtu edhe më shumë do ta sponsorizojnë ekstremizmin fetar, ndërsa kjo do të prodhojë pasoja fatale për të gjithë ne si komb. Sepse, sociologjia thotë që ekstremizmi ushqehet nga ekstremizmi. Prandaj, nëse janë të paditur në këto fenomene shoqërore, mund t’u falet, por nëse e bëjnë që ashtu t’i mbrojnë “shokët” e tyre – të deklaruar “më shkja se shk’jet”, kjo është shumë e ligë prej tyre.

Nuk mund të lejoj vetë, siç nuk mund të lejojë as shumica e shqiptarëve të Maqedonisë, që standard i shqiptarit të mirë të jetë mosvajtja në xhami, moasgjërimi, gota e verës “Skënderbeu” dhe lufta kundër shamisë. Ne kemi respekt për figurën kombëtare Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe ky është fakt që nuk e lëkund askush, ama nuk mundet që për shkak të këtij respekti të dehemi me “Skënderbeu”, sepse ashtu bëheshkim shqiptarë më të mirë.

Në debatin që ishte në Shkup, ku kisha mundësi të marr pjesë si dëgjues, sepse në Prishtinë ishim të përjashtuar, e pyeta njëfarë politikani dhe “studiuesi” të Prishtinës, që akuzonte pa turp në këtë mënyrë, se me çfarë parametrash ai e ka matur se çfarë është shqiptaria e mirë dhe çfarë është shqiptaria e keqe ose antishqiptaria? Nejse, si diletantë që janë për interpretime teorike, as ai nuk kishte përgjigje, por kjo pyetje vazhdon të jetë akoma në skenë. Kush, pos Enver Hoxhës, e ka përcaktuar se vetëm shqiptarët që nuk agjërojnë, që nuk shkojnë në xhami, që nuk falen, që nuk e respektojnë veshjen fetare të femrës etj., se vetëm ata janë shqiptarë të mirë? Ky nuk është liberalizëm, as shqiptari, por është ekstremizëm tipik enverist. Madje, shikuar teoretikisht, më besnik ndaj shqiptarit primordial, atij që e prodhoi Rilindja Kombëtare Shqiptare, janë pikërisht shqiptarët e Maqedonisë. Sami Frashëri shumë më tepër i ngjante një shqiptari të sotëm të Maqedonisë se një shqiptari të Kosovës a të Shqipërisë. (Mjafton t’i shihni fotografitë familjare të Samiut dhe t’i lexoni veprat e tij.) E, nëse shqiptarët akoma askund nuk kanë ndërtuar një standard të nacionalizmit shqiptar, kush janë këta intelektualë të shpifur që marrin guximin që në Shkup të ngrenë alarmin se “rreziku i shqiptarëve në Maqedoni vjen nga BESA” ose në Prishtinë se “shqiptarët në Maqedoni janë të rrezikuar nga lëvizjet haxhiqamiliste”? Nëse ata mendojnë se është kjo koha e Enver Hoxhës dhe se ata i bëjnë standardet si duan vetë dhe pastaj i imponojnë me dhunë e me kërbaç, e kanë fort gabim. Sepse enverizmin e kemi shkelmuar një herë më 1990 dhe tash e ka radhën që edhe në Maqedoni ta shkelmojmë, duke i hequr nga skena “shokët” e tyre enveristë.

“Isuf Qamili”

Dhe, që të mos i mbetemi borxh lexuesit, ta shpjegojmë se pse në titull “Isuf Qamili”. Sepse enveristët, pa vetëdije të plotë, gjithnjë shërbehen me shembuj të njëjtë dhe e shpalosin veten. Para do kohe një enverist në Maqedoni i etiketoi me “Isuf Qamil” të gjithë ata që e braktisin partinë e tij. Dhe, kur tash e dëgjon akuzën “Haxhi Qamil”, nuk ke si mos bindesh se bëhet fjalë për matricë të njëjtë, për shkollë të njëjtë e model të njëjtë diskualifikimi e përjashtimi – “të gjithë që nuk janë me ne, janë armiq të popullit dhe meritojnë të zhduken”. “Qamilët” janë sot armiqtë e enveristëve dhe ata, sipas tyre, duhen zhdukur.

Lajmi i keq për enveristët 

E duan apo e urrejnë, u pengon ose e admirojnë, e ardhmja e shqiptarëve në Maqedoni është në ndërtimin e një opsioni politik autentik dhe autokton, që përkon me vlerat tradicionale shqiptare në Maqedoni, që nuk është importim as nga Lindja, por as nuk është ideologjik enverist e, aq më pak, liberal-jugosllav. Nëse dikujt i pengoi që vajzat e reja shqiptare me shami e pa shami, por me flamur kuq e zi, protestuan në protestat e 9 majit të këtij viti në Shkup ose që nënat shqiptare, rëndom me shami, dolën me flamur kombëtar e me flamur të BE-së në protestë, kjo nuk është problem i shqiptarëve në Maqedoni, por problem i atyre që kanë perceptim të gabuar për shqiptarinë.

Nëse ne, shqiptarët e Maqedonisë, kemi respekt për bindjet ateiste, madje kemi dashuri për vëllezërit tanë shqiptarë të besimeve të tjera, bile i tolerojmë edhe ata që me sjelljet e tyre nuk e nderojnë fort shqiptarinë e projektuar nga ne dhe këtë e bëjmë në emër të ruajtjes së kohezionit brendakombëtar, kujtoj se do të ishte e drejtë që edhe ne, që nuk dimë të pimë “Skënderbe”, që mund t’i kemi nënat dhe gratë me shamia, që shkojmë në xhami (por, pa bërë fotografi për Facebook) dhe që agjërojmë, të kemi të drejtë ta përfaqësojmë vetveten dhe popullin tonë.

Fundja, nëse e shtyjmë më larg krahasimin, ofendohem rëndë nëse një enverist e konsideron veten më shqiptar se unë. Sepse, më shumë se që i ka dëmtuar Enver Hoxha shqiptarët, në përgjithësi, dhe më shumë se që i ka dëmtuar e poshtëruar BDI-ja enveriste shqiptarët e Maqedonisë, nuk mund ta bënte askush.  Por, lajmi i mirë është se enverizmi po shkulet edhe nga trevat tona.

afrim

 

 

Në vend të ironisë te ironia

remzi 1Shkruan: Remzi Mehmedi

Për secilin që mendon se politika është e sarkastikëve gabojnë keq në shprehje dhe në mjetin e saj. Nëse kalimet e këqija disa opozitarë të lidhura gjoja me Besën, nisin nga pika e mendjemadhësisë dhe vetëpëlqimit sjell deri te kalimi tjetër që quhet përbuzje intelektuale nga “intelektualët” e opozitës besnike siç është kjo që nënkuptohet…
Sulmi me paramendim, jo se ishte e domosdoshme në gazetën KOHA të vinte m’u nga ata që betoheshin se sulmet brenda opozitarë janë të ndaluara, tani ndodh që vetë këta që ndalojnë sulmet bëjnë plan për sulm. Shkrimi me titull ”Nga Isuf Qamili te Haxhi Qamili” me autor nje eksponent i lartë i një Lëvizje tjetër, e thënë politike dhe opozitare. E lexova në qetësi disa herë dhe vendosa që të them pak fjalë vetëm për pjesën që i referohej qendrimit tim dhe ”përqeshjeve” mbi personalitetin tim dhe këtë do e bëj vetëm për arsyjen e vetme që mbaj bindjen se shqiptarëve u ka ardhë në majë të hundës politikbërja e deritanishme me shkëmbime akuzash banale midis eksponentëve, me demagogji dhe përhapje mjegulle. Thjesht ata kërkojne vepra dhe unë pikërisht do të numëroj disa nga veprat konkrete tonat, ndërsa për pjesën e përqeshjeve personale e që kanë të bëjnë me atë që “ gati se nuk jam zgërdhirë ne debat” do them vetëm se personaliteti im dhe paraqitjet e mia karakterizohen nga buzëqeshje të rralla e për “ zgërdhirje “ nuk mbetet aspak vend, fundja tërë debatin të cilit i referohet zotëria i nderuar mund ta verifikojë vetë. Lëvizja Për Reforma-PDSH u themelua mbi bazën e parimit të nevojës së domosdoshme për ndryshim dhe si rrjedhojë kjo Lëvizje kombëtare ju përgjigj me shumë vendosmëri dhe transparencë kërkesës së shqiptarëve të këtij vendi, për më shumë se dy dekada e që është kërkesa e bashkimit të forcave politike shqiptare për të artikuluar sa më fuqishëm potencialin tonë brenda këtij vendi, gjë që njëkohësisht është e drejtë e jona njerëzore dhe kombëtare e lejuar dhe mbrojtur me të gjitha aktet e të drejtës pozitive vendore dhe ndërkombetare. Si rrjedhojë e kësaj lindi Aleanca për Shqiptarët që dikujt i pengoi mjaftuesh, pra midis Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe Lëvizjes për Reforma- PDSH e cila doli me qëndrim të qartë dhe veprim konkret që është pro bashkimit të forcave opozitare, nga ku u ftuan edhe organizimet tjera opozitare të marrin pjesë si forca të barabarta për një shtet binacional shqiptaro-maqedon, me respektim të të drejtave edhe të pakicave tjera dhe me qëndrimin e paluhatur që kjo Aleancë do të refuzoje të behet pjese e cilësdo qeverie brenda këtij shteti nëse nuk do të arrihet barabarësia e plotë midis dy popujve në cilësinë e shtetformësisë. Në suaza të këtij qëllimi dhe kësaj platforme vazhduan aktivitetet dhe takimet me të gjitha shtresat e shqiptarve dhe me të gjitha subjektet tjera politike apo jopolitike. U organizua edhe një protestë vetëm Kuq e Zi ku të gjithë ata që deklaruan mbështetje dhe pjesëmarrje u paraqiten si të barabartë përpara atyre shqiptarëve protestues (Shoqata e ish të përndjekurve dhe ish të burgosurve politik, OVL-UÇK dhe shumë organizata dhe personalitete të shquara të veprimit dhe dijes). Në vazhdën e kësaj përpjekje dhe veprimeve të shumta konkrete në këtë frymë bashkimi dhe bashkëpunimi lindi edhe ideja që në datën simbolike të Lidhjes së Prizrenit (rëndësinë e së cilës e dinë të gjithë shqiptarët ) të organizohet një takim me elitën intelektuale të shqiptarëve nga Maqedonia që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë. Ky takim ishte i pari i këtij lloji dhe u zhvillua në një frymë shumë bashkëpunuese dhe me debate të shumta e me qëndrime nga më të ndryshmet të të gjithë atyre figurave shumë të respektuara të veprimit dhe të dijes, nga ku lindën edhe ide të ndryshme dhe u dhanë këshilla të ndryshme, gjithmonë duke u respektuar që të gjithë si palë të barabarta, me mundësi të barabartë të dhënjes së kontributit pa anashkalime dhe pa përvetësime. Që këtij debati i parapriu një debat televiziv në Tv Tribuna Channel ku midis tjerish isha i ftuar edhe unë si njëri ndër aktivistët e këtij takimi në cilësinë e përfaqësuesit të Lëvizjes për Reforma – PDSH. Pikëpamjet politike janë të qarta dhe besoj se ju jeni koshient të dëgjoni pa u keqi terpretuar nga bindje të ndryshme. Çfarë bëtë ju në tërë këtë rrugëtim me shumë se një vit të qëllimit dhe nevojës se bashkimit opozitar? Folët gjithmonë mbi bashkëpunimin opozitar dhe atë nuk e bëtë kurrë, madje edhe kur u duk në shikim të parë që po bëni diçka konkrete në këtë drejtim ( shih, protestën e 9 majit ku Lëvizja pr Reforma – PDSH të cilën e akuzoni e mbështeti me tërë kapacitet e saja), mu aty u shfaqën qëllimet jobashkëpunuese dhe përjashtuese. Sa herë qe ju u ftuat në mënyrë publike dhe ne sy të opinionit për bashkim forcash dhe bashkërendim veprimesh nga ana e Lëvizjes për Reforma -PDSH si palë të barabarta ju nuk e patë të arsyeshme ti përgjigjeni ftesës, madje as nuk e patë të arsyeshme të tregoni arsyet e refuzimit. Pa dashur ta zgjas edhe më shumë dua ta përfundoj duke ju kujtuar edhe njëherë që Aleanca për Shqiptarët është e vendosur për arritje të barabarësisë së plotë të shqiptarve dhe maqedonasve në këtë shtet, këtë përpiqet ta arrij duke ftuar në bashkim sa më te gjërë të forcave politike dhe jopolitike që janë te mendimit të njëjte dhe pa arritjen e këtij qëllimi premton që nuk do të bëhet pjesë e asnjë qeverie. Nëse jeni me qëllime të njejta hajdeni e bëhemi bashkë, nese qëllimet tuaja janë ndryshe nga këta, deklarohuni se shqiptarët vërtet meritojnë më shumë transparencë, veçanërisht në keto situata të turbullta politike!

arban