Kodra e Diellit këtë vit po përballet me probleme të shumta dhe me një menaxhim jo të mirë nga ana e drejtuesve të kësaj qendre turistike. Afaristët që operojnë në këtë qendër turistike, kërkojnë nga kompetentët të marrin masa urgjente, pasi problemet fillojnë që nga gjërat elementare për një pikë të tillë të frekuentuar, e që janë mungesa e parkingjeve, mungesa e mjekut dhe më kryesorja moskujdesja për pistat e skijimit nga kompania ELEM.

“Momentalisht nuk funksionon asgjë, rrugët i kemi të bllokuara  nëpër uikend-shtëpizat, nuk pastrohen ashtu si duhet, ne kemi lokale dhe duhet gjithmonë me intervenime. Sa i përket komunës, sa i përket ELEM-it, nuk ndërmarrin diçka konkrete, që të punojnë skiliftat, të shtypet bora kur bie, por dalin pas një kohe kur nuk duhet, këta janë ato që na pengojnë në zhvillimin e Kodrës së Diellit. Parkingjet momentalisht janë katastrofë sa i përket ditës së shtunë dhe të diel, kemi shumë turistë, 20- 30 mijë që vijnë të shtunën ose të dielën, ata parkohen me fëmijë tek guri Sidollit, nga atje e deri këtu i ka 3 kilometra”,- deklaroi afaristi, Xhabir Lika. 

“Përse nuk funksionojnë skiliftët, stazat e skijimit e tjera. Erdhëm në një zgjidhje të përbashkët në interes të qytetit dhe gjithë ne të fillojmë seriozisht të punojmë, që Kodra e Diellit të jetë ajo që duhet të jetë”,- theksoi Toni Bllazhevski.

Ftesës së afaristëve të Kodrës së Diellit nuk iu përgjigj as drejtoresha e ELEM-it, që tashmë një kohë të gjatë menaxhon këtë qendër, dhe as kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Afaristët thonë se ELEM nuk ka investuar asgjë edhe pse premtoi shuma prej miliona eurosh për të përmirësuar kushtet në këtë qendër.