Megjithëse Ballkani ka ndryshuar shumë këto 27 vitet e fundit me proceset transformuese në dimensione të ndryshme dhe reformat integruese nuk mund të themi se problemet janë sheshuar të gjitha.

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, vendet e Ballkanit, me një planifikim të centralizuar dikur, filluan të jetojnë proceset transformuese në dimensione të ndryshme sociale si: ekonomi, politikë, siguri dhe kulturë. Në vendet e Ballkanit njerëzit u detyruan të njihen brenda pak vitesh me një përvojë ndryshimesh sociale, politike dhe ekonomike shumë më të madhe se ajo që do të dëshmojë një njeri gjatë të gjithë jetës së tij në vendet perëndimore. Edhe pse Ballkani ka ndryshuar shumë me reformat që janë bërë pas viteve 1990, disa vështirësi kryesore vazhdojnë të jenë ende prezent në rajon.

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë për Ballkanin filloi një tranzicion i dhimbshëm nga komunizmi drejt sistemit kapitalist. Në veçanti, luftërat që ndoqën shpërbërjen e Jugosllavisë së Titos shkaktuan dëme të konsiderueshme në arteriet e ekonomisë dhe çuan në shterimin e burimeve që do të mundësonin bërjen e investimeve të nevojshme duke i përdorur ato për financimin e luftës. Nga kjo u prek negativisht e gjithë hapësira gjeografike e ish-Jugosllavisë. Megjithëse Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania mbetën jashtë zhvillimeve të tilla, paqëndrueshmëria politike dhe prapambetja ekonomike bënë të vonohen reformat e nevojshme edhe në këto vende duke u bërë shkak i nivelit të ulët të mirëqenies së popullit edhe sot e kësaj e dite.

Pavarësisht vështirësive të përmendura më lartë, brenda 27 viteve të fundit Ballkani ka kaluar përmes një procesi të madh transformimi. Janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për transformimin e Ballkanit në një rajon të qëndrueshëm, ku veprojnë ligjet, është rrënjosur koncepti i demokracisë, janë garantuar të drejtat e njeriut dhe funksionon ekonomia e tregut. Kanë ndodhur përmirësime në fushën e demokracisë. Po ashtu me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare është shënuar progres edhe në procesin e pajtimit dhe vendet e rajonit janë orientuar drejt një lloj bashkëpunimi rajonal.

Përveç kësaj, vendet e rajonit kanë bërë përparime të rëndësishme në drejtim të integrimit me institucionet euro-atlantike. Rreth 27 vjet më parë as bullgarët e as rumunët nuk mund ta imagjinonin se mund të ktheheshin nga një shoqëri e mbyllur, në një shoqëri të hapur demokratike dhe të lirë, apo se një ditë do të ishin anëtarë të NATO-s dhe BE-së. Sot Kroacia dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s, dhe Kroacia është anëtari i 28-të i BE-së. Pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Mali i Zi, vazhdojnë të bëjnë reforma të rëndësishme drejt anëtarësimit në BE. Nga ana tjetër, NATO po rrit praninë e saj edhe në pjesët e tjera të Ballkanit Perëndimor. Me zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s në Ballkan besohet se demokracia dhe stabiliteti evropian do të përhapen më shumë në këtë rajon. Për të gjitha këto arsye, mund të thuhet se janë mjaft të vogla gjasat e rilindjes së ngjarjeve të dhunshme në shkallë të gjerë, si p.sh. lufta në Ballkan.

Siç dihet, në vitet 1990 minoritetet në Ballkan u përdorën si një shkëndijë për të nxitur konfliktet. Qëllimi i integrimit me institucionet evropiane dhe atlantike, qëllim që ndodhet në qendër të politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit, ndikon gjithashtu edhe në përmirësimin e statusit ligjor dhe politik të pakicave në vendet e rajonit. Pakicat në vendet e Ballkanit nuk shikohen ende si një pasuri kulturore, por është eliminuar klima që u lejon atyre të iniciojnë konflikte të brendshme mbi minoritetet ose për të sulmuar vendet fqinjë.

Megjithatë, disa zhvillime pozitive që kanë ndodhur në këtë drejtim vitet e fundit në Ballkan nuk nënkuptojnë se problemet në rajon janë zgjidhur. Pasi në hapësirën e ish-Jugosllavisë vetëm Sllovenia me Kroacinë kanë arritur një farë stabiliteti. Në Kosovë, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni, burimet e vjetra të tensionit vazhdojnë të ekzistojnë deri në një farë mase.

Përveç kësaj vazhdon deri në një farë mase në rajon edhe politika në bazë të nacionalizmit dhe identitetit etnik. Nga ana tjetër, mirëqenia e ulët në rajon mund të nxisë edhe tendencat ekstreme të krahut të djathtë. Sipas parashikimeve të FMN-së, (Prodhimi i Brendshëm Bruto) PBB-ja e Turqisë, e llogaritur me paritetin e fuqisë blerëse në vitin 2016, ishte rreth 90 për qind e PBB-së së dhjetë vendeve të Ballkanit. Vetëm kjo shifër flet për një nivel të ulët të mirëqenies në vendet e Ballkanit. Ndoshta edhe në të ardhmen, disa grupe të margjinalizuara, që janë kundër bashkëjetesës së grupeve të ndryshme etnike, do të vazhdojnë të krijojnë probleme besimi në mesin e njerëzve të Ballkanit. Megjithatë, me kushtet e tanishme rajonale dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Ballkanin, mund të thuhet se ata që mbështesin më shumë fragmentarizimin në rajon do të dënohen me dështim./Dr. Erhan TÜRBEDAR/