Të dashur miq të jetës time reale dhe virtuale, ju njoftoj që deri tash numri i intelektualëve të profesioneve të ndryshme në iniciativën tonë NE JEMI NDRYSHIMI është 116 dhe shpresoj që ditëve në vazhdim të shtohet akoma më shumë. Ky numër është shkruar me emra, mbiemra, profesion, qytet, të cilët publikisht do bëhen pjesë e ndryshimit, debateve dhe trajnimeve të ndryshme të cilët do t’i realizojme shumë shpejt. Pjesa tjetër e përkrahësve nuk është në listën tonë, por në realitet ekziston dhe do të përfshihet në takimet tona. Opozita e di sepse i kam takuar të gjithë, ne duam të ndihmojmë procesin, jo të përçajmë votën shqiptare.

Do t’i bashkangjitemi bllokut opozitar nëse i realizon kërkesat tona, nëse jo, atëherë një partie politike e cila do na faktorizojë dhe realizojë kërkesat tona. Instrument për interesa partiake nuk bëhemi, për popull po. Prioriteti i iniciativës tonë janë ekspertët e shkencave politike dhe apeloj që të më shkruani lirisht mua sepse me këtë pjesë unë do merrem individualisht pasi partitë politike për fat të keq çdoherë e kanë anashkaluar këtë shtresë.

Ata/ato që i kam pasur studentë e dinë që me shumë përkushtim i kam edukuar, bile shpesh edhe jashta orarit të punës, tash do keni mundësi t’i shihni në debate si liderë të së ardhmes, pasi shumica kanë qenë apartiakë por që shpresojnë shumë për ardhmërinë. Ju ftoj publikisht të gjithëve juve që keni kryer shkencat politike, nuk ka rëndësi universiteti ku e keni kryer, por ka rëndësi ta doni politikën si profesion, më shkruani privat mua dhe bashkangjiteni iniciativës tonë NE JEMI NDRYSHIMI, sepse ju duhet të dëshmoni ate që e kanë pasur mangësi partitë tona politike.

Qëllimi im është edhe më madhështor se sa ndryshimi, bashkarisht të krijojmë Akademinë Politike Shqiptare, të cilën mund ta transferojmë edhe në institut në një të ardhme të shkurtër dhe bashkarisht të krijojmë një lidership me liderë që do kontribonte në të gjitha trojet. Jeni të gjithë shumë të mirëseardhur, edhe ju të profesioneve të tjera që nuk e shihni politikën si interes, por si proces dhe progres, më shkruani lirisht dhe mos nguroni!

Në trajnimet tona do vijnë jo organizata të paguar a ashtu siç bën BDI, por profesorë të shkencave politike nga Amerika dhe Europa, India, Zelanda e Re, Anglia, Irlanda, të cilët do ta bëjnë vetëm nga kontaktet që unë kam krijuar me projektet që kemi pasur dhe duke njohur qëllimin tim të pastër.

E bukura është që asnjë pagesë nuk duan, edhe hotelet i refuzojnë sepse te unë mund të qëndrojnë. Me trajnimet që do organizojmë ne do përfshihet e gjithë opozita, sepse nuk ka të holla si pozita të paguaj organizata dhe ekspertë, por ama pozitës i them që profesorët me renome refuzojnë paratë e vjedhura dhe juve nuk ju vijnë asnjëherë. Jo secili shitet dhe blehet.

Presim vendimin e opozitës, urojmë në bashkim të opozitës dhe vazhdojmë!
Zoti e bekoftë popullin shqiptar kudo që gjindet!