Morri guximin të studiojë një ndër drejtimet më të vështira në vendin e vet, por dijen po mendon ta shpërndajë në gurbet.

Profesori i fizikës, Raim Kera, pasi përfundoi studimet, u kthye në vendlindje, në fshatin Zhitoshë, për të dhënë mësim.

Në fillim shkoi gjithçka mirë, por sa ia morri dorën, atij ia morën orët e lëndës.

Gjithçka shkoi keq kur Kera vendosi që disa nxënës duhet të përsërisin në lëndën e tij. E për këtë drejtori i shkollës themeloi komision për vlerësim, i cili i kaloi disa nga nxënësit, që sipas Kerës kanë dikë në parti.
Edhe pse me kritere më të ashpra, vetë nxënësit kërkojnë kthimin e profesorit.

“Ne si nxënës të vitit të tretë, kërkojmë që të na i kthejnë profesorët së lëndës së fizikës, profesorin Raim Kera dhe profesorin e historisë në mënyrë publike. Ankesat tona të bëra deri tek drejtori i shkollës nuk u morën parasysh dhe as që u shqyrtuan. Ne andaj sot e kërkojmë publikisht përgjigje të jep drejtori i shkollës”, u shpreh nxënësi.

Si duket këto kërkesa do të hasin në vesh të shurdhër, pasi që drejtori Reshat Asani, thotë që ai është shefi, dhe ai vendos.

“Punëdhënës jam unë, dhe profesorit orët i ka marr profesoresha Sadie, orët që kanë mbetur i ka profesori Raim. Normalisht profesoresha Sadie i ka 20 orë, orët tjera që kanë mbetur i ka profesori Raim. Atë është e drejta ime të vendos unë si drejtor, e drejta ime personale si drejtor si punëdhënës është të vendos”, tha Reshat Asani Drejtori.

Nuk ka të bëjë me presion politik thotë Asani, por derisa ne po qëndronim në shkollën e mesme “Rilindja”, erdhi kryetari i komunës, Xhemil Qamili, i cili iu shmang kamerës së TV21.

Profesori i ri Kera thotë që nuk ka frikë dhe të flasë për presione të tilla, sepse shkollimin e ka kryer me djersë, e ia ka dhënë besën vëllait më të madh se nuk do të heshtë para situatave që ai i konsideron si padrejtësi.

“Prandaj edhe pse kemi investuar në arsim nuk kemi lirinë me punu në mënyrën më të mirë dhe të japim kontributin për vendin. Pra kjo na detyron më në fund të gjejmë rrugëdalje jashtë shtetit të Maqedonisë në ndonjë vend tjetër për një jetë më të mirë”, u shpreh Kera.

Në gjimnazin Rilindja të Zhitoshës mësojnë 350 nxënës, ndërsa numri çdo vit është në rënie.
Kjo është edhe një nga arsyet se përse drejtori i shkollës insiston se nuk duhet të ngelen nxënësin. /TV21/