Arifi është në kërkim të mandatit të tretë, ndërkohë që po zhvillon një fushatë të qetë dhe shpjeguese. Programi zgjedhor i saj për mandatin e tretë gërsheton punët e realizuara në mandatin e dytë dhe vizionin për të vazhduar më tej me moton “ edhe më shumë për Tetovën tonë”. Ky vizion ngërthen agjendën e gjelbërt të promovuar nga BDI, me specifikat e angazhimeve për qytetin e Tetovës. Në një paraqitje publike, ajo ka theksuar se arritura më e madhe e saj për Tetovën, mbetet ndërtimi dhe kompletimi i tubacionit për ujin. Mes tjerash edhe transporti publik gjithashtu vlerësohet si një e arritur

KDP

U mendua një kohë dhe në fund vendosi të shkojë në zgjedhje dhe të kërkojë edhe një mandat nga tetovarët, të tretin me radhë. Teuta Arifi i futet betejës zgjedhore me shumë vetbesim se ka rezultate për të kërkuar edhe katër vite drejtim të komunës më të madhe me shumicë etnike shqiptare.
Programi zgjedhor i saj për mandatin e tretë gërsheton punët e realizuara në mandatin e dytë dhe vizionin për të vazhduar më tej me moton “ edhe më shumë për Tetovën tonë”. Ky vizion ngërthen agjendën e gjelbërt të prmovuar nga BDI, me specifikat e angazhimeve për qytetin e Tetovës.

Programi zgjedhor është gjithëpërfshirës dhe rrok një gamë të gjerë projektesh që premtohen të realizohen gjatë mandait të tretë. Ndërtimi i shkollës fillore në fshatin Sellcë, gasifikimi gjegjësisht sigurimi i energjisë së lirë dhe ekologjike për të gjithë, rikonstruimi i plotë i rrugës nga Kolltuku deri në fshatin Vicë, investime në arsim, kulturë dhe përgjithësisht në infrastruktura, digjitalizimi i plotë i shkollave si dhe angazhimi për një qytet të pastër janë disa nga angazhimet që Arifi i ka afishuar për realizim në mandatin e mundshëm si kryetare e komunës së Tetovës.

Në një paraqitje publike, ajo ka theksuar se arritura më e madhe e saj për Tetovën, ishte ndërtimi dhe kompletimi i tubacionit për ujin. Arifi ka zgjedhur të zhvillojë fushatë të qetë shpjeguese, ndërkohë që ka prezantuar projektet e realizuara dhe projektet që synon në mandatin e ardhshëm. Një numër projektesh që vijnë si premtime të mehershme tashmë janë rrumbullaksuar, siç është rasti me transportin publik, ndërkohë që në vijim janë edhe projekte tjera.

Arfi ka një trajektore interesante të ardhjes në krye të komunës së Tetovës dhe vazhdim të drejtimit të komunës.

Në 2013, në kohën që ishte ngjitur në postin e zëvendeskryeministres për eurointegrime, lideri i VMRO-DPNE-së, Nikolla Gruevski, tashmë po shfaqte në njëfarë forme autoritarizmin e tij, që më pas do të bëhej gangrenë për jetën politike në Maqedoninë e Veriut, por edhe për gjithë jetën institucionale të cilën e gllabëroi duke instaluar një totalitarizëm të egër. E profilizuar me ide liberale, natyrë e hapur dhe e matur politikisht, Teuta Arifi, dukej se nuk do të mund ta gjente veten në këto rrethana politike që diktonin njëlloj totalitarizmi të heshtur që më pas do të bëhej gjithnjë e më agresiv.

Realisht, pozicionin e saj refuzues ndaj këtij sistemi që po instalohej, ajo e kishte shfaqur që më herët në shumë paraqitje publike, në kolumnat e saj, në të përditshmen në gjuhën maqedonase “Dnevnik” dhe në të përditshmet në gjuhën shqipe. Por, pa bërë shumë bujë, Teuta Arifi, duket se tashmë e kishte të qartë se në “ishullin e izoluar të eurointegrimeve” nuk do të mund të qëndronte për shumë kohë, ndërkohë që totalitarizmi i partisë në pushtet VMRO-DPMNE gjithnjë e më tepër po shtrinte hijen e vetë brutale në të gjitha poret e shoqërisë.

Ky qëndrim në këto rrethana shpesh herë ishte interpretuar në mënyra të ndyrshme në opinion, por gjithsesi ajo tashmë dukej qartë se më vitin 2013 e kishte ndarë mendjen që të braktis postin qeveritar të një koalicioni ku bënte pjesë edhe partia e saj dhe të kandidohet për postin e kryetares në komunën e Tetovës, në qytetin e saj të lindjes, në të cilin para se të hynte në politik kishte punuar si profesorëshë e letërsisë shqipe.

Prapa karrierës së saj gjithashtu shënohet një veprimtari akademike, ndërkohë që ishte diplomuar për filologji në Universitetin e Prishtinës, ndërsa kishte doktoruar poashtu në filologji në Universitetin e Kirili dhe Metodi në Shkup. Sfondi i saj akademik plotësohet edhe me angazhimet si profesoreshë në UEJL në Tetovë, në Studimet Multikulturore. Gjithashtu ka qenë e angazhuar si asistente në lëndën Histori e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë në Shkup.

Teuta Arifi kishte ardhur me premtime për ta ndryshuar Tetovën, pa llogaritur deri në fund sfidat me të cilat do të përballet gjatë mandatit të qeverisjes. Një ndër sfidat kryesore mbetej që të përpiqej të punonte me një abstenim të heshtur të pushtetit qendror, që në heshtje sikur kërkonte ta ndëshkojë” kundërvënien e saj ndaj politikës që po e diktonte VMRO-DPMNE. Sigurisht, qytetarëve nuk iu inetersonte kjo gjë dhe kërkonin rezultatet, të cilat ajo i kishte premtuar. Jo gjithçka dukej e lehtë, sepse turbuluncat politike në shtet po përcaktonin dinamika tjera politike që dukej se po i tejkalonin problemet reale të qytetarëve në nivel lokal. Gjërat ndryshuan në mandatin e dytë, kur qeveria LSDM-BDI ishte më miqësore me Arifin.

Meqë vinte me vokacion nga jeta kulturore dhe letrare, Teuta Arifi, do t’i kushtoj një rëndësi të veçantë jetës kulturore në qytet, duke organizuar dhjetra ngjarje kulturore dhe duke sjellë në Tetovë emra të njohur të botës së artit shqiptar. Në periudhën e pandemisë kjo frymë si duket nuk ishte aq e pranishme, kuptohet për arsye të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit.

Sot ka dy tabore që do ta interpretojnë punën e saj. Njëri tabor njerëzish publik që e kritikojnë punën e saj dhe tabori tjetër që vinte në pah punët që janë bërë brenda mandatit. Zakonisht në raportet me premtimet zgjedhore që gjithnjë mbeten projeksione të mundshme dhe mbetet hapësirë për pakënaqësi, por herë-herë ato zmadhohen vetëm si kundërvënie oponentësh. Pikërisht në këtë linjë edhe në parafjalën e platformës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit thuhet se “edhe pse mund të mos e kem arritur 100 për qind atë që doja dhe atë që Ju, me të drejtë, e prisnit për qytetin tonë, e them me besim se ne tashmë kemi arritur shumë”.
Ka ende shumë punë për ta bërë Tetovën tonë një komunë të pastër dhe të denjë për jetën e të gjithë qytetarëve, thekson Arifi në parfjalën e programit zgjedhor. “Me këtë program, unë ua prezantoj planin tonë për katër vitet e ardhshme dhe angazhimin tim me përkushtim të plotë për ta bërë Tetovën më të mirë, më moderne dhe më të gjelbër”, thekson ajo.

Ndërrimi i psuhetit, siç duket ishte edhe një vrapim për të kapur kohën e humbur, për të përmbushur premtimet kryesore të cilat i kishte vendosur në fushatën parazgjedhore. Në fund të mandatit të parë, ashtu siç kishte premtuar kishte përmbullur dy projektet jetike për qytetin, projektin e ujit të pijshëm dhe pastrimin e deponisë së qytetit. Arifi përmend shumë projekte infrastrukturore të realizuara gjatë mandatit të dytë.

Një gamë të gjerë angazhimesh ka pasur edhe gjatë mandatit të dytë, dhe sikundër thuhet në parafjalën e programit zgjedhor, komuna e Tetovës është ballfaquar me situata emergjente të jashtëzakonshme, siç ishte rasti me vërshimat, por edhe ballafaqimi për dy vite me pandeminë.

Pavarësisht nga kjo, Arifi thekson punët e realizuara, të cilat mbeten si një nxitje dhe vetëbesim për të kërkuar mandatin e ardhshëm për drejtimin e komunës së Tetovës. Në këtë drejtim theksohen sigurimi i transportit publik si një ndër premtimet kryesore të mandatit të dytë, renovimi dhe modernizimi gati i të gjitha shkollave, ndërtimi i shkollës së re fillore “ Naim Frashëri”, përfundimi i bulevardit “VS Bato”, rruga e banjës, ndërtimi i bulevardit “Bllagoja Toska”, modernizimi i ndërmarrjes publike dhe shumë punë të tjera infrastrukturore që mbajnë vulën e mandatit të dytë.

Kjo trajektore punësh dhe angazhimesh mbetet të ballafaqohet në sheshin e debatit dhe argumentimit gjatë fushatës zgjedhore, ndërkohë që qytetarët mbetet të vlerësojnë në ditën e votimit.