Projektet e institucioneve nacionale të arteve vizuale, muzetë, galeritë…, kanë qenë më keq të paguara sesa ato që janë realizuar nëpër institucionet e tjera lokale.
Sipas një përllogaritje mes fondit që kanë pasur në dispozicion dhe numrit të projekteve të realizuara, i bie që mesatarisht një projekt i një muzeu nacionale të arrijë vlerën 50 mijë denarë, për dallim nga ato të institucioneve lokale që arrijnë deri në 54 mijë denarë. Ministria e Kulturës në raportin më të fundit të punës së saj gjatë vitit të kaluar, konstaton disnivelet e krijuara të financimit që shkojnë në favor të projekteve që realizohen në institucionet lokale, por nuk jep sqarime se për cilat projekte bëhet fjalë dhe në cila qendra kulture.
“Këto tregues flasin për një vlerë mesatare prej 50 mijë denarësh për një projekt tek institucionet nacionale, që nuk është adekuate për këto lloj projektesh tek institucionet nacionale. Nga ana tjetër vlera mesatare e një projekti të realizuar në institucion lokal është 54 mijë denarë, që është në mënyrë disproporcionale në raport me ato nacionalet. Intenca është që në të ardhmen të reduktohet numri i projekteve, por të rritet mbështetja financiare për to, me qëllim që të sigurohet financim më cilësor dhe realizim adekuat i projekteve”, bëhet me dije në raport.
Në sferën e arteve pamore gjatë vitit 2017 janë miratuar 310 projekte (të financuara me mbi 16 milionë denarë), 172 në institucionet nacionale dhe 54 në institucionet lokale. Paralelisht janë financuar edhe 52 projekte jashtëinstitucionale (të financuara me mbi 3 milionë denarë)nëntë koloni artistike (560 mijë denarë) dhe 23 projekte të pavarura (të financuara me mbi një milion denarë). Në Raport bëhet me dije se gjatë këtij viti do të ndërpriten të gjitha konkurset për blerjen e veprave artistike.
“Duke u nisur nga konstatimet e përgjithshme se një formë e tillë stimulon klientelizëm në art, Ministria e Kulturës nuk do të vazhdoj ëme këtë mënyrë financimi dhe blerjen e vlerave artistike”, thuhet në raport. Gjatë vitit të kaluar në ministri ka pasur 26 oferta prej të cilave janë blerë në total 34 piktura në një vlerë mbi 4.500.000 denarë, si edhe pesë skulptura (680 mijë denarë).
Artisti Reshat Ameti, prej disa kohësh edhe anëtar i Këshillit të Kulturës në ministri thotë se reduktimet nuk janë zgjidhje, qoftë të projekteve, shumave, apo masave stimuluese.
“Disproporcioni mes projekteve në institucionet lokale dhe nacionale është befasi, pasi dihet se janë institucionet nacionale ato që marrin më shumë, ndërsa ato lokalet, shtëpitë e kulturës, muze e të tjera realizojnë projekte më të vogla dhe më pak të paguara. Përpara se të ulim numrin e projekteve, apo të rrisim mbështetjen financiare, apo edhe në rastin më të keq të pezullojmë masa stimuluese, siç është blerja e veprave të artit mbetet pyetja – Çfarë pastaj? Ajo që duhet të rregullohet në art dhe kulturë dhe për të cilën flasim 25 vjet vazhdon të mbetet cilësia, cili është sistemi i vlerave dhe si dhe kush janë ata nëpër komisione që vlerësojnë me sa dhe si do të mbështet një projekt. Pasi nëpër komisione për fat të keq qëndrojnë njerëz që nuk janë adekuatë për të vlerësuar”, thotë artisti Ameti.
Në raport po ashtu ka vërejtje edhe lidhur me disproporcionin e krijuar edhe në financimin e projekteve të cilësuara si reprezentative në sferën e arkitekturës dhe dizajnit. Për këtë arsye një prej masave që do të marrë Ministria e Kulturës për të ndryshuar raportet e pabarabarta që janë krijuar pritet të jetë revidimi dhe numri i kolonive artistike, që financohen me buxhetin e këtij institucioni./KOHA