Biseda telefonike të siguruara përmes Masave të Posaçme Hetimore (MPH), procesverbale, foto-dokumente nga ngjarja, njoftime, ekspertiza të celularëve, të armëve, analizave të ADN-së, rezultateve të obduksioneve dhe një pjesë të madhe të “argumenteve materiale” u prezantuan sot në fjalën përfundimtare të prokurorisë kundër pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës, shkruan mk.mk.

Në një material prej 40 faqesh prokurorët Vilma Ruskovska dhe Naum Panovski, prezantuan analizën e “argumenteve dhe Masave të Posaçme” dhe disa orë rresht i prezantuan para gjykatës.

Sipas prokurorisë, “grupi terrorist” në Maqedoni është futur me arsenal të madh të armëve që e kanë ruajtur në mal dhe qëllimi i tyre kryesor ka qenë “rrezikimi i jetës dhe trupit të qytetarëve dhe shkaktim të kërcënimit të përgjithshëm”.

Më 8 maj, sipas prokurorit Panovski, është zhvilluar nj bisedë telefonike, në të cilën Muhamed Krasniqi – Komandant Malisheva bisedon me një person të panjohur në burg.

“Gjithçka është gati. Ne jemi gati në të gjitha anët, vetëm edhe juve të ju nxjerrim prej atje”, është pjesë e bisedës me personin nga burgu.

Në bisedën telefonike, tha prokurori Panovski, të akuzuarit kanë realizuar kontakte mes veti, me udhëheqësit e grupit, me persona nga jashtë, me përfaqësues të OSBE-së, kurse në një pjesë të fjalëve përfundimtare është përmendur edhe një bisedë telefonike me deputetin e BDI-së, Artan Grubi, për të cilin të akuzuarit në seancat e mëparshme kërkonin nga gjykata të jetë dëshmitar bashkë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, transmeton Gazeta Lajm.

Sipas prokurorit, në bisedat telefonike të akuzuarit merren vesh se si të grupohen, ku të vendosen, e kanë kontrolluar lëvizjen e policisë, merren vesh për sulmin ndaj stacionit policor në Gushincë dhe për “sulmet terroriste në Kumanovë”, janë koordinuar gjatë tërë kohës së lëvizjes së tyre dhe kanë shkëmbyer informacione për prezencën e policisë dhe rreth asaj nëse policët janë të uniformuar, dhe janë marrë vesh për të pritur pjesëtarë tjerë të grupit.

“Koordinatat u janë dhënë nga personat me të cilët kanë komunikuar dhe të cilët prokuroria i ka me emra të koduar, janë në drejtim të bashkimit, të jenë në numër sa më të madh dhe të përfshijnë edhe anëtarë tjerë në grupin terrorist. Në bisedat telefonike të siguruara përmes Masave të Posaçme Hetimore ka edhe biseda ku dëgjohen këto fjalë: “A dëgjove se plasi puna, policia na zbuloi”, tha prokurori Panovski.

“Në këtë pjesë kur grupi terrorist ka kuptuar se është zbuluar, kanë kërkuar edhe përforcim, kurse ka pasur edhe kontakte telefonike që të dorëzohen”, tha Panovski. Në këtë pjesë të fjalës përfundimtare, prokurori Panovski e përmendi edhe emrin e deputetit të BDI-së, Artan Grubi, i cili ka negociuar për dorëzimin. Sipas dëshmive të siguruara me masat e posaçme hetimore, komandant Malisheva ka thënë se grupi do të dorëzohet, por vetëm nëse vjen OSBE. Panovski nuk ka dhënë detaje tjerë për bisedat e Grubit, që ka detyruar pjesëtarët e grupit dhe avokatët e tyre të dyshojnë se prokuroria po e mbron deputetin e BDI-së.

“Më 9 maj kur terroristët u përplasën me policinë, prokuroria si dëshmi ka siguruar bisedë në të cilën komandant Malisheva bisedon me një person të panjohur i cili i thotë: ‘Snajperistët janë ngjitur mbi ambulancë, po i shoh”, tha prokurori Panovski në fjalët përfundimtare.