Jemi të fokusuar në sigurimin e të gjitha dëshmive dhe zbardhjen e rasteve që kanë mbetur pezull, tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, gjatë nënshkrimit të protokollit ndërmjet Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas tij, protokolli pritet të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe prokurorisë drejt një sistemi më efektiv dhe efikas të drejtësisë penale. Spasovski tha se luftimi efikas i krimit kërkon ligje që nuk i pengojnë hetimet.

“Qëllimi ynë i përbashkët është zbulimi, vërtetimi dhe parandalimi i suksesshëm i krimeve dhe ndalimi i autorëve. Qëllimi i protokollit që nënshkruam sot është të na ndihmojë në kryerjen më efektive të procedimeve penale, duke marrë parasysh mbrojtjen e të drejtave të viktimave, të të dyshuarve dhe autorëve, në përputhje me legjislacionin vendas dhe marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara.”, – deklaroi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.

Ndërkaq, kryeprokurori publik, Lubomir Joveski, theksoi se qytetarët presin që ne të bashkëpunojmë dhe të ofrojmë drejtësi efikase.

“Vetëm me një front të bashkuar kundër autorëve mund të arrijmë rezultate që rikthejnë besimin e publikut tek institucionet e sistemit. Për këto arsye, dua të falënderoj sinqerisht misionin e OSBE-së në Shkup, i cili si shumë herë më parë, ka njohur nevojat dhe ka mbështetur këtë proces të koordinimit tonë të ndërsjellë me Ministrinë e Punëve të Brendshme.”, – theksoi kryeprokurori publik, Lubomir Joveski.

“Për më tepër, do të përshpejtojë hetimet, gjë që do të rrisë efikasitetin në luftën kundër krimit në këtë vend.”, – u shpreh shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl.

Ndryshe, protokolli për bashkëpunim u përgatit me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup.