Pesëmbëdhjetë ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ende nuk është zbardhur se kush publikonte regjistrime të përgjuara në periudhën parazgjedhore. Regjistrime të reja të paligjshme në internet nuk ka. Ky proces i qërimit politik të hesapeve përfundoi me votimin më 15 korrik. Por, bisedat e publikuara ende qëndrojnë në kanalin e “Youtube”-s. Nga Prokuroria për Alsat bënë të ditur se janë duk hetuar – kush, si dhe pse i ka publikuar regjistrimet në të cilat aktorë kryesorë ishin liderët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski.

Deri te Prokuroria Themelore në Shkup MPB-ja ka parashtruar lajmërim me shkrim për zbatimin e kallëzimit penal lidhur me regjistrimet që ishin publikuar në disa kanale të Youtube gjatë fushatës parazgjedhore. Duke vepruar sipas lajmërimit me shkrim, janë duke u bërë kontrolle për të përcaktuar cilët persona i kanë çelur kanalet në Youtube dhe i kanë publikuar bisedat e regjistruara. Njëherësh, janë duke u bërë edhe kontrolle të tjera për përcaktimin e gjendjes faktike. Varësisht nga faktet e përcaktuara dhe dëshmitë e siguruara, Prokuroria Publike do të vendosë në përputhje me Ligjin për procedurë penale – thonë nga Prokuroria Themelore Publike.