Prokuroria Themelore Publike (PTHP) pret që kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela të dorëzojë prova deri tek ata në lidhje me çështjen që ai mbrëmë e ngriti në emisionin “Click Plus” se në disa shkolla ku udhëheqin kuadrot e BDI-së, gërmohen kriptovaluta.

“Çdokush që posedon prova për kryerjen e veprës penale, atë duhet ta paraqet tek organet kompetente. Prokuroria Publike, në pajtueshmëri me kompetencat e saja ligjore, i ndjekë të gjitha informatat dhe do të ngrit procedurë nëse sigurohen prova të cilat dëshmojnë kryerjen e veprës penale”, thonë për Portalb.mk nga Prokuroria.

Portalb.mk kontaktoi me përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët, të cilët theksuan se po mbledhin detaje për çështjen në fjalë dhe më pas do të shqyrtohet mundësia e dorëzimit të tyre në Prokurori.

Sela mbrëmë tha se ka informata se në disa shkolla, drejtorë janë kuadrot e BDI-së, po gërmohen kriptovaluta.

“Kam informata se në shkolla të cilat udhëhiqen nga BDI gërmohen kriptovaluta, ku është policia dhe pse nuk ndërmarrin masa institucionet”, tha Sela.

Përndryshe, kriptovalutat në vendin tonë nuk janë të rregulluara me ligj dhe gërmimi i tyre nuk përbën vepër penale. Por, për shkak se aparatet për gërmimin e kriptovalutave harxhojnë sasi të madhe të energjisë, gërmuesit vjedhin rrymë elektrike, e cila në këtë rast përbën vepër penale që dënohet me para dhe burg deri me 3 vjet.

Bitcoin në mbarë botën, në nivel vjetor harxhon rreth 120 teravat-orë energji elektrike, apo rreth 20 herë më shumë se sa harxhon Maqedonia e Veriut.