Ballina Lajme Maqedoni Prokuroria Publike: Ja se çfarë bëjmë për rastin “Kumanova”

Prokuroria Publike: Ja se çfarë bëjmë për rastin “Kumanova”

Prokuroria publike ende nuk ka zbardhur rastet për keqtrajtimin e “grupit të Kumanovës”. Nga MPB nuk pranojnë se ka pasur keqtrajtime, ndërkaq, se ekzistojnë prova për keqtrajtim, përveç avokatëve mbrojtës të njëjtën e përsërit edhe Avokati i popullit, shkruan Portalb.mk.

“Prokuroria Publike me qëllim vërtetimin e fakteve dhe zbardhjen e rastit, ka marrë disa aktivitete. Janë marrë në pyetje një numër i madh i dëshmitarëve, persona që mund të japin të dhëna relevante. Është kërkuar dokumentacion për t’i shfrytëzuar si argument në procedurë. Aktivitetet që po merren me urdhër të Prokurorisë janë në proces e sipër”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Publike për Portalb.mk.

Ixhet Memeti

Ixhet Memeti

Në raportin që po e përgatisim për vitin 2016, është shënuar rritje e brutalitetit policor, njofton Ixhet Mehmeti, Avokat i popullit.

“Veprat penale mund të ndiqen ex officio ose me akuzë private, AP nuk ka legjimitet që të paraqitet si palë. Avokati i popullit mund vetëm të ngre procedurë, Prokuroria Publike e udhëheq hetimin. Ne në një rast zbuluam një brutalitet policor dhe kërkuam që të ketë hetim, vetë pala, u tërhoq sepse frikësohej. AP nuk ka mundësi të ndjek kryerës të veprave penale. Këtë punë duhet ta bëjë Prokuroria Publike”, veçoi Mehmeti, duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë po ndodhë me përgjegjësinë për keqtrajtimin e të burgosurve në rastin “Kumanova”.

Avokatët mbrojtës presin rezultate nga Prokuroria Publike

Avokatja Artene Ademi Iseini

Avokatja Artene Ademi Iseini

Artene Ademi avokate mbrojtëse në rastin e “Kumanovës” vërteton se përveç Avokatit të Popullit edhe vet ajo si avokate mbrojtëse kanë bërë denoncime dhe se po presin finalizim nga ana e Prokurorisë publike.

Kemi informacione se me ato lëndë po merren në Prokurorinë themelore dhe është në procedurë hetuese. Po mblidhen provat dhe dëshmitë. Hetuesia mund të zgjatet. Lëndët që unë i kam proceduar kam informacione që janë në procedur hetimi. Mjafton të vërtetohet se është kryer vepër penale dhe se e ka bërë policia. Edhe Avokati i popullit ka bërë denoncime penale, me dëshmi,… ka grumbulluar dëshmi dhe ka filluar hetuesia.

Nga Departamenti i brendshëm i MPB-së, në dy përgjigje radhazi për Portalb.mk thonë se në Departamentin për kontrolle të brendshme nuk ka denoncime për keqtrajtime fizike apo maltretime psikike të të akuzuarve në rastin “Kumanova”.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur. /Portalb