Pas “Kadare i denoncuar”, gazetari dhe studiuesi Dashnor Kaloçi vjen me librin e dytë me dokumente sekrete mbi shkrimtarin e njohur, “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave” -101 dokumente arkivore “Tepër sekret” të papublikuara, botim i UET-Press.

Libri, i cili ka hapur polemika në shtyp, u promovua sot në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, ku morën pjesë studiues, gazetarë e figura të jetës publike në vend.

Autori Kaloçi gjatë fjalës së tij tha shkrimtari Kadare vazhdon të krijojë edhe sot debat pro dhe kundër tij.

“Do t’i përgjigjem vetëm një pyetjeje, e cila bëhet prej 25 vitesh. Kur na kanë pyetur se çfarë po bëni për Ismail Kadarenë, pyetja që shtronin ishte: “Po e mbroni apo po e sulmoni? As njëra dhe as tjetra. Dokumenti nuk merr përsipër as të mbrojë njeri dhe as të sulmojë njeri, dokumentet janë botuar të gjitha të plota dhe secili e nxjerr vetë konkluzionin. Në libër ka dokumente, ku Enver Hoxha e ngre në qiell Ismail Kadarenë dhe urdhëron botimin e tij në 5, 6 gjuhë të botës, ka mbledhje të byrosë politike që i kushtohen vetëm vetëm Kadaresë, janë mbledhjet pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Ka një numër të madh dokumentesh kryesisht të viteve ‘73 që e quajnë armik reaksionar, bashkëpunëtor i Fadil Paçramit dhe nga më të ndryshmet. Pra nuk ka seleksionim dokumentash dhe çdokush do t’i shikojë vetë”, tha Kaloçi.

Botuesi Henri Çili, i cili ka bërë dhe parathënien e këtij libri, tha se me këtë botim u ezurua një moment shumë i rëndësishëm i nxjerrjes në dritë të arikivave që kishin lidhje me një nga emrat më të njohur të letërsisë shqiptare.

“Duket sikur po bëjmë një përsëritje të një eventi që bëmë vitin e kaluar, rreth një vit më parë ne panairin e kaluar, por në fakt është diçka krejt e re dhe është për përmbylljen e një projekti mendoj me një rëndësi shumë të madhe për Universitetin Europian të Tiranës si dhe për për jetën publike aktuale si dhe mendoj për të shkuarën dhe për të ardhmen e të vërtetave ose të historisë së këtij vendi. Në shkencë gjetjet janë shumë të rralla ose me thënë të drejtën të rejat janë shumë të rralla. Prandaj kush mbledh, dokumenton dhe sistematizon dokumente me një koherencë dhe me një vijë logjike ndoshta është duke kryer një kontribut të posaçëm shkencor”.

Çili vlerësoi punën e bërë nga autori duke e quajtur punë mirëfilli shkencore.

Ky libër sjell çdo dokument arkivor të regjimit komunist që flet për Kadarenë, ku sulmohej, kritikohej apo cilësohej reaksionar.

Ai nis që nga dokumenti i parë ku sekretarja e komumitetit qëndror Liri Belishova autorizon vajtjen e djaloshit Kadare me studime në institutin Gorki deri në mbledhjet e fundit të politikës ku flitet për arratisjen e tij.