Partitë në pushtet i bëjnë thirrje qytetarëve të protestojnë kundër propozimit francez. Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike, si deputet i vetëm i këtij subjekti brenda shumicës parlamentare kërkon nga qytetarët të dalin dhe të protestojnë, por jo kundër Qeverisë. Në rast se Qeveria pranon këtë propozim, ai do ta lëshojë shumicën.

“Është shumë me rëndësi që përmes rrjeteve sociale të shihet se qytetarët nga të gjitha etnitë në Maqedoni nuk pajtohen me këtë vendim që e propozon BE-ja. Kuptohet se ka edhe që duan të protestojnë. Prandaj unë them se nuk duhet protestë kundër Qeverisë por protestë që t’i tregojmë Evropës se këtu ka kundërshtime dhe qytetarët nuk pajtohen me këtë propozim”, tha Pavle Trajanov, Kryetar i LD-së.

Me një veprim të tillë kanoset edhe Partia Liberal Demokrate e Goran Milevskit e cila ka marr vendim që nëse propozimi francez pranohet, të lëshohet Qeveria.

“Komiteti Ekzekutiv e i PLD-së e hodhi poshtë propozimin francez. Kërkojmë që i njëjti t’i jepet për shqyrtim ministrave dhe deputetëve. Presim që të gjithë ta hedhin poshtë. Nëse pranohet propozimi francez në këtë version si është tani, Komiteti Ekzekutiv vendosi që PLD ta lëshojë Qeverinë”, u shpreh Goran Milevski, Kryetar i PLD-së.

Në një situatë të tillë, për lëshimin e Qeverisë janë edhe organet e RDM-së së Maja Moraçanin e cila në Kuvend përfaqësohet me një deputet si pjesë e shumicës. Lidhja Demokratike, Partia Liberal Demokrate dhe Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë kanë bashkërisht 4 deputetë. Shkëputja e tyre e lë shumicën me 60 deputetë, e cila do mund të vazhdonte funksionimin ekzekutiv derisa nuk shpërndahet Kuvendi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, ose nuk iniciohet mocion votëbesimi kundër Qeverisë për ta trashëguar mandatin një shumicë e re. /Alsat.mk