Opozita ka rinisur sot protestën para Kryeministrisë në ditën e dytë të saj. Përfaqësuesit e PD kanë deklaruar se do të qëndrojnë në shesh deri kur të bjerë qeveria dhe të ngrihet qeveria teknike.
Figurat kryesore politike të opozitës bashkë me protestuesit gjenden të ngujuar para kryeministrisë duke kërkuar që koalicioni PS-LSI të dorëzojnë pushtetin.
Në shkelje të lejes së dhënë nga Policia e Shtetit, për afatin dhe modalitetet e protestës, organizatorët e protestës, në drejtimin e ish-drejtorit të Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, ngritën një çadër në bulevard, para Kryeministrisë.
Lëvizja erdhi në funksion të vijimit të protestës pa afat, si formë presioni për krijimin e një qeverie teknike, e cila sipas PD, do të garantonte zgjedhje të lira dhe ndershme. Me sipërfaqe disa qindra metra katrorë dhe disa metra e lartë, në këtë çadër qëndrojnë të rinj të FRPD, militantë, anëtarë forumesh dhe deputetë, shkruan Shqiptarja.com.
Herë pas here tek çadra do të shkojnë edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PD, Lulzim Basha. Madje, ky i fundit, qëndroi në çadër përgjatë thuajse gjithë natës së parë të protestës.
Çadra është quajtur nga të rinjtë e FRPD: “Shtëpia e re e demokratëve, çadra e lirisë, qëndresës dhe protestës”. Edhe pse ngritja e çadrës, ku do të qëndrojnë një numër i kufizuar protestuesish, është një strategji e përdorur nga Partia Socialiste, gjatë qeverisjes së djathtë, opozita pretendon se po zbaton skenarin rumun.
Greva e urisë
Ngritja e çadrës para zyrës së kryeministrit Edi Rama duket se do të jetë hapi i parë i Partisë Demokratike, në përpjekje për krijimin e një situate destabilizuese para zgjedhjeve të 18 Qershorit.
Përfaqësues të opozitës, konkretisht deputeti Luçiano Boçi dhe kreu i FRPD Belind Këlliçi kanë paralajmëruar mundësinë e kalimit në një grevë urie. “Tek çadra do të ketë grevë urie, ne nuk largohemi. Protestuesit nuk do largohen nga Bulevardi deri në rrëzimin e Edi Ramës”, tha Boçi.