Qindra fermerë në shtetin e Rajasthan, Indi, kanë protestuar kundër planit të qeverisë për të blerë tokën e tyre. Dhjetëra banorë kanë hapur vrima të thella duke u varrosur si pjesë e protestës.

Fermerët nga fshati Nindar, rreth 20 km nga Jaipuri, kryeqyteti i shtetit kanë protestuar për dy javë, por të hënën  e kësaj jave zgjodhën metodën unike, e cila konvenon me përvjetorin e lindjes së udhëheqësit të pavarësisë së Indisë Mahatma Gandhi.

Nagender Shekhawat, kreu i protestës, i tha Al Jazeera se “gati 5000 familje, duke përfshirë fermerët, do të preken nga blerja”.

Ai shtoi se protestuesit kanë bllokuar vendin për 18 ditët e fundit. “Fermerët kanë protestuar që nga shpallja e njoftimit për blerjen e tokës në vitin 2010. Ata nuk duan të heqin dorë nga toka e tyre pasi e përdorin atë për bujqësi dhe kafshë”, tha ai.