Sot në ora 11:00, te teleferiku i qytetit të Tetovës që gjendet në fillim të rrugës për në Kodrën e Diellit, nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” dhe qindra qytetarë protesuan kundër shkatërrimit kësaj qendre turistike nën moton “Dorëheqje ELEM TURS” nga menaxhimi i Kodrës së Diellit, protestuesit bllokuan rrugën te teleferiku për 30 min.

““Të nderuar të pranishëm, aktivist, tetovar të vetëdijshëm dhe qytetar që përherë luftoni të keqen, 25 milion euro të taksave të qytetarëve përfunduan në humnerë nga keqmenaxhimi i ELEM. Poashtu edhe 25 milion euro të tjera janë shkaktuar humbje nga mosfunksionimi i qendrës Kodra e Diellit. Zëri i qytetarëve tetovar që protestojnë sot ka këtë mesazh, mjaftni më, ju nuk mund të menaxhoni me resortin turistik Kodra e Diellit. Keqmenaxhimi përfundimisht është ka fshier Kodrën e Diellit nga të gjitha listat botërore të turizmit. Të nderuar institucione, mos pritni që vetëm zëri i qytetarëve të ju motivojë të bëni detyrat e juaja, por bëjeni punën e juaj. I nderuar ELEM, nuk do të shofish më ëndërr, por ëndërra e qytetarëve do të bëhet realitet”, tha Hamdi Sulejmani njëri nga organizatorët e protestës.

“Objektet ekonomike siç është kjo qendër turistike dikur që ishte me famë botërore sot është shëndrruar në një katrahurë, në gjendje shumë të vështirë ku u ndanë para për parkingje, për bazenin për borë artificiale, ku shkuan ata të holla? Nga hapja e gropës rrezikohen edhe shtyllat e ski-liftit” tha një protestus.

Një protestues tjetër bëri pyetje publike kryeministrit Zoran Zaev “Vallë a mendon edhe ai sikur Mile Janakievski në qoftë se investohet në Maqedoninë Perendimore do të ju ngelet investimi shqiptarëve? Dua të di përgjigjen Po ose Jo, dhe e pyes Kodra e Diellit a është pjesë e këtij shteti apo e ndonjë shteti tjetër?”

“Kodra e Diellit mos është shtet në vete apo komunë në vete?

Neve na ka fal Zoti si pasuri natyrore Kodrën e Diellit nuk mund të na merr askush, a mbi të gjitha ka një problem politiko-nacional a e vëreni që në protestë nuk na bashkangjiten bashkë qytetarët tanë maqedonas? Një dy eventualisht na bashkangjin nga ata që qëllojnë si kalimtar të rastit. Kodra e Diellit veç e shqiptarëve është? Kur është në pyetje për investim është vetēm e shqiptarëve e për shfrytëzim vetëm e maqedonëve” u shpreh një protestues tjetër në pyetjen e gazetarëve

Ndryshe, javën e kaluar nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” gjatë protestës që mbajti tek telefiriku i qytetit të Tetovës përkujtoj Kryeministrin e vendit Zoran Zaev për premtimin e dhënë gjatë fushatës para referendumit në Pallatin e Kulturës në Tetovë ku tha: “Kodra e Diellit do t’i merret ELEM-it dhe ELEM nuk do të mund të përgadis vetëm shtigje dhe kushte për pensionistët”.

Kërkesat tjera të kësaj nisme ishin që Qeveria menjëherë të shqyrtojë mundesinë për shitjen e se njëjtës, ndërtimin e teleferikut Tetovë – Kodra e Diellit me të gjitha elementet e nevojshme, infrastrukturore parking dhe hapësira të duhura për vizitoret, kontrolle mbi realizuesin e punëve të Ski liftit me gjashtë ulese i cili kushtoi 9.5 milion euro nga taksat e qytetarëve, dhe gropës së hapur për rezervuarin e planifikur i cili do të shërbente për akumulimin e ujit për prodhimin e borës artificiale dhe kërkohet sanksionim i së njejtës, plani detal urbanistik i cili sa e sa mandate po premtohet mirëpo nuk realizohet. Obligim nga Komuna e Tetovës, plan i cili është bazik që do të hap mundësinë për investime nga investitor të huaj dhe zhvillim e së njejtës.