Historiani serb Milan Protiç, thotë për N1 se serbët e Kosovës duhet të pajtohen me realitetin se Kosova është shtet i pavarur.

“Është një fakt i thjeshtë se serbët në Kosovë jetojnë të rrethuar nga një shumicë shqiptare dhe se ata përfaqësojnë një pakicë shumë të shpërndarë atje. Nëse duan të vazhdojnë të jetojnë atje, duhet të pajtohen me këtë realitet. Asnjë zgjidhje tjetër praktikisht nuk ekziston, përveç emigrimit”, është i bindur Protiç.

Protiç-it dalja e serbëve nga institucionet i duket si “shpallje emigracioni”, si mesazh se “nuk duam të jetojmë në atë mjedis dhe në kushtet politike dhe të përgjithshme që vlejnë atje”.

Ish-ambasadori i Jugosllavisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, potencon se anëtarësimi i plotë i Serbisë në BE duhet të jetë synim parësor, derisa ka shtuar se “në lidhje me atë qëllim dhe atë interes duhet të përshtatet edhe politika jonë ndaj Kosovës”.

I pyetur nëse është edhe i mundur ndryshimi në Serbi në këto rrethana, ai pranoi se si historian është një parashikues i keq, por edhe se pavarësisht të gjitha gardheve, ai është shumë skeptik për çdo ndryshim thelbësor, si në politikën e jashtme ashtu edhe në atë kombëtare.

Protiç thekson se “Serbia e ka vënë veten në pozitën e pengut”.

“Në Moskë nuk ka një fleksibilitet, tolerancë dhe durim siç ka në Perëndim. Atje kur pranon të jesh levë në duart e tyre, nuk ka më lëvizje”, shpjegoi Protiç.

“Kam frikë se ky vend po rrëshqet në diktaturë dhe se jemi dëshmitarë thuajse dita-ditës, që edhe ato pak liri që kemi, po mbyten sistematikisht dhe qëllimisht”.