Shkruan Dr. Sulejman Abazi NESHAJ (Doktor “Honoris Cauza” për Sigurinë dhe Paqen)

Referendumi nga analiza politike, po vlerësohet si historik. Pranimi i ndryshimit të emrit në “Maqedonia e Veriut”, hap rrugën për pranimin në NATO dhe hapjen e negociatave në qershorin e ardhshëm për pranimin në BE.

Referendumi sigurisht, paraprihet edhe nga një sërë problemesh të mbartura nga sistemi politik dhe zgjedhor, të cilat nuk janë në kohë për t’u plotësuar. Por edhe kështu referendumi do të mbahet. Do të thirren në votime 1 milion e 800 mijë votues.

Presidenti i Maqedonisë, Ivanov ka deklaruar i pari se, “nuk do të dalë në votim”. Të mos dalë, se në fund të fundit një votë ka, por çështja është pse kreu i shtetit është kundër referendumit, çfarë i djeg këtij njeriu kontravers, që deri tani vetëm i ka hedhur benzinë zjarrit nacionalist, të shkaktuar me kohë në marrëdhëniet etnike brenda shtetit. Çfarë përfaqëson Ivanov në këtë situatë? Rjedhimisht ai nuk është as për ndryshimin e emerit, as për pranimin e Maqedonisë në NATO apo në BE. Atëherë çfarë përfaqëson ky njeri në politikën shtetërore?

Por ta lëmë Ivanovin për në fund.
Në këtë situatë ia vlen të merremi me faktorin politik dhe qytetar shqiptarë, vota e të cilëve vlerfësohet si vendimtare në rezultatin e referendumit. Në këtë çështje dallojmë dy gjëra, të cilat janë thelbësore:

Moskundërshtimin e palës shqiptare për pranimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE dhe së dyti, heshtjen e tyre për çështjen e emrit. Mendoj se këtu po veprohet drejtë për disa arsye, duke menduar që, thelbësor mbetet orientimi properëndimor dhe integritetit territorial i Maqedonisë, ndryshimi i emrit dhe bërja pjesë e saj e institucionet politike e ushtarake ndërkombëtare. Ky orientim e fut Maqedoninë në rrugën e konsolidimit të shtetit të qytetarit dhe të shoqërisë me standardeve demokratike.
Deri këtu gjithkush mund të pranojë se gjithçka është në rregull. Parë në këndvështrimin e interesave gjeopolitike të SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe interesave të shteteve në Ballkanin Perëndimor, ky mendim pozitiv qëndron. Kjo do të thotë se pas pranimit të Malit të Zi në NATO, edhe në rastin e Maqedonisë, do të ketë një tërheqje të interesave gjepolitike ruse, për shkak të ngushtimit të mëtejshëm të hapësirave gjeopolitike në rajon. Faktori politik shqiptar dhe opinioni e ka kuptuar këtë situatë, objektivat dhe synimet dhe po ecën më i qetë në rrjedhën e ngjarjeve.

Shqiptarët në Maqedoni shpresojnë që pas këtyre eventeve me vlera historike, do të vijnë në radhë zgjidhje të tjera, që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese, çështjen e gjuhës shqipe, të formës federativo – administrative të funksionimit të shtetit, të dhomës së nacionaliteteve, reformimit të ligjit zgjedhor, rregjistrimit real të popullsisë dhe çështjeve të tjera social – ekonomike. Të gjitha këto normalizojnë marrëdhëniet e brendshme etnike. Këto çështje thelbësore, sigurisht janë në vullnetin politik të palëve dhe të zgjidhjeve në rrugë demokratike, sipas standardeve perëndimore.
Në këtë rast duhet shpjeguar me maturi dhe pjekuri politike opinionit shqiptar se, kushtëzimi i referendumit në këtë kohë me këto 5 pika të parashtruara më sipër, nuk do t’ia hapte kurrë Maqedonisë rrugën properëndimore dhe kjo nuk do të ndihmonte as çështjen e të drejtave shqiptare brenda këtij shteti. Kjo është thelbësore.
Edhe pse në këtë referendum mund të mos ketë dalje masive të votuesve, shqiptarët janë të vetëdijshëm që kjo është e vetmja rrugë paqësore e zgjidhjes së problemeve të tyre dhe besojmë se ata do ta mbështesin masivisht atë. Kjo duhet të ndodh, pasi partia e rënë nga pushteti (VMRO-DPMNE), edhe pse ende se ka shpallur bojkotin e mundshëm të referendumit, ajo tashmë është e përfaqësuar nga mendimi kontravers i Kreut të Shtetit. Vërtet referendumi nuk ka vlerë vendimarrëse, por kalimi në shumicë të tij ka vlerë të madhe politike dhe gjeopolitike, dhe kjo duhet të ndodhë.

Por problemi nuk mbaron deri këtu. Ai do të ketë një ndikim të fuqishëm në Greqi, ku opozita nacionaliste, me mbështetjen të klerite pse jo dhe të presionit rus, është shpallur kundër emrit të propozuar për Maqedoninë dhe kundër Marrëveshjes së Prespës. Dështimi i referendumit në Greqi, vë në pozitë të mosbesimit qeverisjen Cipras dhe provokon zgjedhje të parakohëshme. Se çfarë mund të ndodhë në një situatë të tillë të zhvilluar me rastin e dështimit të referendumit, kjo do të jetë objekt i një analize tjetër.
Rezultati pozitiv i referendumit në Maqedoni vë në pozitë inferiore edhe politikën e Beogradit. Në këtë rast, zgjerohen më tej hapësirat gjeografike nën Sigurinë Kolektive dhe Serbia do të mbetet i vetmi vend në udhëkryq në Ballkanin Perëndimor. E përballur me çështjen e marrëveshjes me Kosovën, politika serbe duhet të bëj mirë llogaritë. Hapësirat e saj gjeopolitike po ngushtohen.

Republika e Shqipërisë ka mbështetur me këtë rast proceset politike në vendet fqinje dhe ajo luan një rol stabilizues, duke lëvizur në kursin e duhur gjeopolitik. Si vend antar i NATO-s dhe në pritje të hapjes së negociatave për antarësimin në BE, politika shqiptare më së shumti duhet të merret me vetëveten për të përmirësuar dhe konsoliduar sistemin e saj politik, që deri tani shfaqet me shumë probleme.

Shpresojmë që ngjarjet e pritëshme të zhvillohen në kahjen e tyre pozitive, duke parë me kujdes vendimarrjen politike në interes të zgjidhjes shkallë shkallë të problemeve shqiptare, që lidhen me zhvillimet politike në shtetet fqinje.