Nga Emir Hamzai

Pse edhe për eurointegrimet do të ishte më mirë të rrëzohej qeveria LSDM-BDI!?

E para, është e vërtetë që VMRO-DPMNE dhe “Levica” janë parti, njëra nacionaliste dhe tjetra populiste. Është e vërtetë që VMRO nuk bën kompromis në politikat identitare dhe kjo pengon eurointegrimet, për shkak se cenon raportet me fqinjtë. Aq sa është e vërtetë, që “Levica” është parti pro-ruse e anti-perëndimore.

Por, cila është këtu gjëja pozitive që e mbante shtetin në rrugen e saj eurointegrues e properëndimor?

Ishte arsyeja se të dy këto parti ishin të varura nga partitë dhe deputetët shqiptarë. Fillimisht dua të theksoj se të gjithë partitë shqiptare në RMV janë parti properëndimore. Duka qenë të varura nga partitë shqiptare, kursi eurointegrues ishte i garantuar. Gjë që nuk mund ta themi kur këto dy parti, të vetme, do ta kenë shumicën në kuvend. Dhe tashmë është e qartë, që këto dy parti janë duke u rritur dhe sa më shumë vonohet ardhja e tyre në pushtet, aq më shumë do t’i rriten dhe forcohen. E, atëherë do të kemi probleme serioze në këtë pikë. Siç kishim në kohen kur VMRO-DPMNE me Nikolla Gruveskin kishin shumicën!

Të njëjten paralele mund ta tërheqim me të drejtat e shqiptarëve. Deri sa këto dy parti, nacionaliste e populiste, do varen nga votat shqiptare do të jenë më të kujdesshme dhe të hapura ndaj shqiptarëve, siç ishin gjatë zgjedhjeve lokale dhe gjatë kohës sa tentohej të rrëzohej qeveria me vota të shqiptarëve. Në momentin kur LSDM&VMRO-DPMNE nuk do të varen nga partitë shqiptare do të jenë më agresive dhe më antishqiptare. Prap siç ishte VMRO me Nikolla Gruevskin, kur kishin shumicën. Ndërkaq, emëruesi i përbashkët i VMRO-së dhe LSDM-së është BDI. Përcaktimi i BDI-së si përfaqësuesja legjitime dhe si mburoja e të drejtave të shqiptarëve, e cila ka kohë që nuk pozicionohet! Nacionaliste (ku hera herës e ngjall debatin mbi UÇK-në dhe luftën), Eurointegriste (e në fakt BDI është partia e vetme) e cila luhatet ndërmjet Nacionalizmit-Eurontgrimeve-Green/Leftist. BDI ka krizë ideologjike, sipas të cilës kjo krizë nuk mund të prodhojë të renë e cila mund të shpëtojë shqiptarët nga shkatërrimi dhe “pozicionimi i RMV-së drejt Rusisë” – (lexo BDI-në për përparimin e vendit për 20 vite).

*BDI nuk është parti progresive dhe agjent i eurointegrimeve ashtu siç ka qejf ta paraqesë veten.
Pse?

Sepse, ndër vlerat kryesore perëndimore dhe të partive progresive është meritokracia, barazia gjinore, ndarja e pushteteve, antikorrupsioni. Cilën nga këto vlera e ka BDI?

BDI është partia e vetme në botë, që qeverisë dhe nuk e ka asnjë grua ministre. Për 20 vite sa ishte në qeveri, veç një grua nga kjo parti ka pasur post ministri.

BDI është dëgjuar në përgjime duke bërë tregti me prokurorë e gjykatës. Duke ndërhyrë në mënyrë flagrante në vendimet e gjykatave. Duke manipuluar me tenderë. Edhe me ata të shendetësisë! Si mund ta quaj veten parti progresive e propërendimore me këto rekorde krimesh?

LSDM me Zoran Zaevin ishin dhe mbeten të varura nga votat e BDI-së, prandaj e kishin dhe e kanë të pamundur të sigurojnë hapësirë për drejtësi tek shqiptarët.

Cila është zgjidhja?

Partitë opozitare shqiptare (tashmë edhe Lëvizja Besa) nuk duhet të lejojë që LSDM ende të qëndrojë në pushtet, sepse në krah të LSDM fiton edhe BDI dhe për rrjedhojë numrat “LSDM-BDI” e fitojnë votëbesimin. Mendoj që ka më shumë sens nëse opozita mendon sesi do të mund të përdorë mjetet që ka për ta rrënuar fronin e zotëruesve. Si? Nëse nuk fragmentohet opozita shqiptare ASH-Besa dhe AAA dhe dalin bashkë, atëherë me siguri do jenë boshti i shumicës së ardhshme me VMRO-DPMNE. Pasi narrativi i zgjedhjeve do jetë ndryshimi. Ndërsa LSDM dhe BDI do të kenë narrativin: kështu siç është gjendja, nuk është mirë, vendi “spostohet kah Rusia”, gjë që nuk është e vërtetë për arsyet që i përmenda më lartë. E nëse nuk ndodh kjo, atëherë VMRO-DPMNE dhe “Levica” do t’i çojë në histori si opozitën shqiptare, por edhe LSDM, sepse entuziazmi i trupit votues maqedonasë për VMRO & Levica do të jetë po më i madh në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse tashmë kjo u pa në zgjedhjet e fundit lokale.