“Më duhet ta pranoj: ardhja këtu sonte nuk ishte aspak e thjeshtë.”, u shpreh Clinton në daljen e parë publike pas humbjes së zgjedhjeve. Ajo pati një fjalim prekës, ku u dha kurajo amerikanëve: “Mos hiqni kurrë dorë!”.

Natyrisht kjo dalje nuk kishte si të ishte e lehtë. Amerikanët parapëlqyen t’i jepnin fitoren Donald Trump-it, kandidatit më polemik në histori, përballë asaj që mund të bëhej shembull i triumfit të gruas së suksesshme. Nëse kjo do të kishte ndodhur, do të ishte një triumf kundër ndasisë gjinore në të gjithë botën.

Por kjo nuk ndodhi dhe Clinton vendosi të sfidonte hapur objektifikimin e gruas, duke u shfaqur pa pikë grimi. Flokët e saj ishin të thjeshtë, të pakrehur. E gjithë vëmendja u përqëndrua tek fjalimi i saj: “Të besojmë tek vendi ynë, të luftojmë për vlerat dhe kurrë, asnjëherë të mos heqim dorë.”

Shumë njerëz mund ta kenë komentuar si “të mposhtur dhe të lodhur”, por në të vërtetë kjo dalje në emër të vendit, jo të gjinisë, e bën këtë fjalim një fitore të madhe të Hillary-t.