Revista Fokus, e cila konsiderohet si kritike e ashpër e VMRO-DPMNE-së, në një tekst lidhur me zhvillimet politike, kritikon liderin e BDI-së Ali Ahmeti dhe e akuzon se “komandant Aliu” po punon në favor të VMRO-DPMNE-së, ose siç e quan në këtë tekst “VMRO-E Akuzuar” (VMRO-Obvineta).

Në këtë tekst, Ahmeti vlerësohet si “demagog që po mundohet t’i shërbejë VMRO-DPMNE-së”, kurse shkaqet për këtë sjellje të Ahmetit, vlerësohen si “të pikëllueshme”.

“Po çka të bësh. I tillë është Aliu, ai gjithmonë kujdeset për paqen dhe stabilitetin në Maqedoni! Sikur Gruevski që rrejshëm gjendet në mbrojtje të interesave të shtetit, e në fakt është i brengosur për fatin e errët të Familjes, ashtu edhe Ahmeti qëndron stoik në ballë të gjoja interesave të konsensusit etno-politik në Maqedoni, duke ofruar paterica për regjimin në largim. Është për keqardhje pozita e tij dhe pikëlluese janë shkaqet që e detyrojnë Ahmetin ta bëjë këtë (a s’tha Gruevski se Aliu e di se si ai do të pengojë BDI-në të bëjë koalicion me LSDM-në), mirëpo njëkohësisht janë dëshpëruese përpjekjet e komandantit të shpëtojë disa nga kuverta e “Titanikut” VMRO-ist. Nëse e shikoni argumentimin e Ahmetit se pse me çdo kusht kërkon epilog konsensual për krizën, ajo me të vërtetë është patetike. Demagog si Aliu nuk bën nëna. Lidhur me nevojën për konsensus, shefi i BDI-së arsyetohet se ‘VMRO- E Akuzuar’ sot na qenka në të njëjtën pozitë sikurse BDI në vitin 2006”, shkruan Fokus.