Abdulla Mehmeti

Një pjesë e banorëve të Komunës së Çairit, sot votojnë për herë të tretë në kuadër të zgjedhjeve vendore të 15 tetorit të këtij viti (rivotimi u mbajt më 29 tetor), në vendvotimin nr. 2901, pasi që Gjykata Administrative e pranoi ankesën e Lëvizjes Besa, ku më pas edhe Këshilli Shtetëror i Zgjedhjeve e miratoi vendimin për rivotim. Në këtë vendvotim gjithsej janë të regjistruar 719 votues. Kandidati për kryetar komune nga radhët e BDI, pas rrethit të dytë ishte në avantazh prej 209 votave në nivel të komunës.

Pse prej mbi 100 ankesa nga subjektet politike pjesëmarrëse në rrethin e dytë të zgjedhjeve vendore në Maqedoni, për parregullsi dhe shkelje, u zgjodh të vendoset për rivotim vetëm në një vendvotim në Komunën e Çairit, kjo nuk kërkon ndonjë analizë të thellë, duke pasur parasysh të dhënat e paraqitura më poshtë dhe duke pasur parasysh se kjo komunë ,,kontrollohet” edhe nga dy nivele të tjera, pushteti qendror dhe i qytetit të Shkupit?!

ÇKA DUHET TË DINI PËR KOMUNËN E ÇAIRIT?

E para që duhet ta dini është fakti se, Komuna e Çairit ka dendësi më të madhe të popullsisë në Europë dhe përballet me probleme gjithashtu më të mëdha në nivel të shtetit. Çdo pushteti deri më sot, kjo komunë i kanë interesuar në mënyrë të veçantë, për komplikimin e situatës sa të jetë e mundur më tepër dhe për krijimin e paperspektivës dhe kaosit, meqë bëhet fjalë për komunën e vetme me shumicë shqiptare brenda qytetit të Shkupit.

Komuna e Çairit është njëra nga 10 komunat në kuadër të qytetit të Shkupit, i cili ka status të veçantë, si i vetmi si qytet në nivel të shtetit, përkrah komunave të tjera urbane dhe rurale (70+10), në bazë të Ligjit për ndarjen territoriale të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë (55/2004).

Komuna e Çairit shtrihet në një siprfaqe prej 3,52 km², me gjithsej 64.823 banorë, dhe me një dendësi të popullsisë prej 18.415 banorë/km², që paraqet dendësinë më e madhe në nivel të Europës, ose me dendësi tre herë më të madhe se Komuna Qendër e Shkupit, një nga komunat tjera me dendësi më të madhe në kuadër të qytetit të Shkupit (me shumicë të popullsisë maqedonase), me 6.032 banorë/km², sipërfaqe dy herë më të madhe dhe dendësi tri herë më të vogël se Komuna e Çairit, të cilat i ndanë fizikisht vetëm lumi Vardar, ndërsa politikisht i ndan diskriminimi i madh (racist) mes qytetarëve maqedonas dhe shqiptarë në të njëjtin qytet (kryeqytet të shtetit).

Struktura e popullsisë sipas përkatësisë etnike: shqiptarë 36.921 (57%), maqedonas 15.628 (24,13%), turq 4.500 (6,95%), romë 3.083 (4,76 %), boshnjakë 2.950 (4,55 %), serbë 621 (0,96 %), vllehë 78 (0,12%), të tjerë 992 (1,53%). Gjithsej 64.773 banorë.

(12.11.2017)