Nga Abdulla Mehmeti/

Më 8 shtator 1991 u mbajt Referendum për pavarësimin e Maqedonisë nga ish-federata jugosllave. Ky referendum atëkohë u bojkotua nga shqiptarët, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re të këtij vendi.

Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina dhe të tjera.

Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht. Subjektiviteti ndërkombëtaro-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore.

Pse Referendumi u bojkotua nga shqiptarët?

Përmes pyetjes së referendumit për pavarësimin e Maqedonisë nga ish federata jugosllave, i cili u mbajt më 8 shtator 1991, qytetarët e këtij vendi u manipuluan përmes pyetjes me këtë përmbajtje:

A jeni për pavarësinë e Maqedonisë shtet sovran, me të drejtë bashkëngjitje në të ardhmen në një lidhje (bashkim) me shtetet sovrane të Jugosllavisë?”

Përmbajtja e këtillë e pyetjes së referendumit për pavarësinë e Maqedonisë, e ndarë në dy pjesë, me alternativë të dyshimtë, sigurisht ka qenë arsyeja pse atë e bojkotuan shqiptarët, që më vonë edhe institucionet ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pse nuk e kanë njohur asnjëherë këtë shtet me emrin e tij kushtetues, por si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Shqiptarët në Maqedoni njëzëri e kanë bojkotuar referendumin për pavarësinë e Maqedonisë, të 8 shtatorit 1991, dhe nuk e kanë votuar as Kushtetutën e Maqedonisë, të sjellë nga Parlamenti i këtij shteti më 17 nëntor 1991, duke mos dashur të mbeten edhe më tej nën tutelën e njëjtë me popujt dhe shtetet jugosllave, prandaj, përmes subjekteve të tyre politike e organizuan referendumin për Autonomi Politike-territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, i cili u mbajt më 11 dhe 12 janar 1992, vetëm 4 muaj pas referendumit për pavarësinë gjysmake të Maqedonisë, në të cilin morën pjesë, nga gjithsej 383.539 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote, 360.928 prej tyre u deklaruan PËR këtë formë të organizimit politik dhe shtetëror të shqiptarëve në Maqedoni.

Në bazë të dokumenteve nga organet e kësaj Autonomie, parashihej formimi i njësisë së veçantë autonome të shqiptarëve në Maqedoni, e cila për shkak të rrethanave të luftës në hapësirat e ish republikave jugosllave dhe mungesën e përkrahjes së duhur nga faktori ndërkombëtar, por edhe të ngulfatur nga disa politikanë shqiptarë të asaj kohe, vasalë të UDB-së jugosllave, mbeti një kapital politik me vlerë i shqiptarëve në Maqedoni për të ardhmen.

Kjo është një arsye më tepër, që nuk u jep të drejtë subjekteve politike të shqiptarëve në këtë shtet, në asnjë rrethanë e me asnjë kusht ta pranojnë statusin e pakicës kombëtare për shqiptarët, siç është definuar në kushtetutën aktuale, por të angazhohen me këmbëngulje deri në sakrificë për avancimin e statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve në popull shtetformues në Republikën e Maqedonisë.

Sidoqoftë, ky është një kompromis i madh i palës shqiptare, i cili duhet të çmohet dhe kuptohet drejtë nga pala joshqiptare, në këto rrethana në rajon dhe më gjerë; që të mos u hapet rrugë të tjera për zgjidhjen e çështjes shqiptare, që do t’i kushtonin shtrenjtë këtij shteti me stabilitet të brishtë; për ruajtjen e fqinjësisë së mirë dhe bashkëjetesës tradicionale mes popujve të këtij shteti, të cilët rrethanat historike i kanë detyruar të jetojnë në një shtet të përbashkët, në interes të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. (8.09.2017)

Pse u zgjodh 8 shtatori si datë e Referendumit?

Pavarësisht nga bindjet e tyre politike dhe përkatësia partiake, të gjitha partitë politike të bllokut maqedonas janë marrë vesh njëzëri dhe kanë arritur qëndrim të përbashkët që referendumi për pavarësinë e Republikës së Maqedonisë të mbahet më 8 shtator të vitit 1991.

Nuk kam lexuar deri më sot nga dikush, pse është zgjedhur pikërisht kjo datë, e cila edhe aktualisht shënohet si festë shtetërore – Dita e pavarësisë së Maqedonisë.

Qytetarët shqiptarë dhe partitë e tyre politike e kanë bojkotuar këtë referendum, për shkak të përmbajtjes së pyetjes me këtë përmbajtje: „A jeni për shtet të pavarur dhe sovran të Maqedonisë, me të drejtë të hyrjes në një lidhje të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”

Nga përvoja e hidhur nën regjimin komunist jugosllav, shqiptarët nuk janë pajtuar të marrin pjesë në një referendum me të cilin parashikohej e ardhja e këtij shteti në një lidhje me shtetet tjera të Jugosllavisë, siç edhe janë bërë përpjekje më vonë, sidomos mes presidentëve Kiro Gligorov (Maqedoni) dhe Alija Izetbegoviq (Bosnje dhe Hercegovinë).

Megjithatë, siç duket pyetja e tillë e referendumit ka qenë vetëm një mashtrim ndaj fqinjit verior, Serbisë, përderisa në territorin e Maqedonisë ka qenë i pranishëm tërë aparati shtetëror jugosllav dhe armata jugosllave, ndërsa në anën tjetër, udhëheqësit e politikës maqedonase të asaj kohe, shumica kanë qenë të orientuar dhe mbështetur nga fqinji i saj lindor, Bullgaria. Këtë e dëshmojnë edhe faktet që i sjellim këtu:

Data 8 shtator është dita e përpjekjeve të mëhershme të forcave nacionaliste maqedonase (probullgare) për shpalljen e shtetit të pavarur të Maqedonisë, më 8 shtator 1944, siç dëshmohet nga burimet në veprën e cituar, nga pullat postale me këtë datë, si dhe burime të tjera.

Që të mos kuptohet kjo si rastësi, ju përkujtojmë se edhe Komunës së Tetovës, si qendër më e madhe politike dhe kulturore e shqiptarëve në Maqedoni, atëkohë i është imponuar një datë e rëndësishme nga historia e popullit dhe shtetit bullgar, si ditë e konstituimit të kuvendit të parë komunal pluralist, 3 marsi, dita e pavarësisë së Bullgarisë, përkatësisht e Marrëveshjes së Shën Stefanit!

*Kjo përmbajtje është marrë me shkurtime nga shkrimet autoriale të autorit mbi këtë temë