Ndryshimet kushtetuese aktuale janë jodemokratike, kundërhistorike, diskriminuese dhe raciste ndaj popullit shqiptar në Maqedoni.

Vetëm armiqtë, tradhtarët, kuislingët dhe mercenarët e popullit shqiptar bëjnë pazare politike të këtij niveli, në dëm të interesave kombëtare dhe të drejtave themelore të popullit që e përfaqësojnë.

Çka duhet t’u ndodhë shqiptarëve më tepër që ta kuptojnë se janë popull i pushtuar, i diskriminuar, i shtypur, i ndaluar, i mashtruar, i papërfaqësuar, i shtypur dhe sunduar nga një klikë politike jodemokratike, e korruptuar dhe kriminale, kundërshqiptare, kundërevropiane dhe kundërcivilizuese?!

I
Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, 17 nëntor 1991:

Neni 48
Pjesëtarët e kombësive kanë të drejtë që lirisht t’i shprehin, kultivojnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre dhe veçoritë nacionale.
Republika ua garanton kombësive mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar.
Pjesëtarët e kombësive kanë të drejtë të themelojnë institucione kulturore dhe artistike, shoqata shkencore dhe shoqata të tjera me qëllim të shprehjes, kultivimit dhe zhvillimit të identitetit të tyre.
Pjesëtarët e kombësive kanë të drejtë në mësim në gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Në shkollat në të cilat arsimimi zhvillohet në gjuhën e kombësisë, mësohet edhe gjuha maqedonase.

II

Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, sipas ndryshimeve kushtetuese në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, të miratuara nga Parlamenti më 16 nëntor 2001:

AMENDAMENTI VIII

  1. Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë lirisht ta shprehin, kultivojnë dhe zhvillojnë identitetin dhe veçoritë e bashkësive të tyre dhe t’i përdorin simbolet e bashkësisë së tyre.
    Republika ua garanton të gjitha bashkësive mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar.
    Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të themelojnë institucione kulturore, artistike, arsimore, si dhe shoqata shkencore dhe shoqata të tjera me qëllim të shprehjes, kultivimit dhe zhvillimit të identitetit të tyre.
    Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të ndjekin mësimin në gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm, në mënyrë të përcaktuar me ligj. Në shkollat në të cilat arsimimi zhvillohet në gjuhë tjetër, mësohet edhe gjuha maqedonase.
  2. Me këtë amendament zëvendësohet neni 48 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

III

Marrëveshja kornizë e Ohrit, e nënshkruar në Shkup, më 13 gusht 2001:

Pika 6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve

  1. Lidhur me shkollimin fillor dhe të mesëm, mësimi do të zhvillohet në gjuhën amtare të nxënësve, e njëkohësisht në mbarë Maqedoninë do të aplikohen standardet e unifikuara për programet akademike.

(21 dhjetor 2018)