Ka shumë arsye pse studentet tanë nuk mësojnë, në këtë shkrim do të mundohem të trajtoj vetëm njërën nga këto. Një nder arsyet është se, profesorët e tyre nuk japin mësim (këtu bëjë pjesë edhe unë) ?

Kur e them nuk japin mësim, mendoj se profesorët përdorin metoda të vjetra dhe të pa efektshme që për studentet e shekullit 21, ato thjesht janë të mërzitshme. Një profesor i mirë padyshim se konsiderohet kur ka njohuri profesionale e shkencore, por shtrohet pyetja: A mjafton kjo? Një mësimdhënie mund të jetë efektive, vetëm atëherë kur përdoren metoda efektive të mësimdhënies.

Metodat e mësimdhënies kanë ndryshuar dhe evoluojnë me kalimin e kohës, si rezultat i kësaj edhe profesorët duhet të evoluojnë bashkë me kohën dhe të përqafojnë dhe praktikojnë metoda të reja bashkëkohore, të lindura si rezultat i zhvillimit të shpejtë të shkencës dhe teknologjisë. Atëherë, vetvetiu lind pyetja, pse Universitetet publike dhe private nuk organizojnë, kurse, seminare, trajnim për metodologji të mësimdhënies bashkëkohore ?! Disa do të justifikoheshin se nuk kemi nevojë, duke aluduar në atë se profesorët kanë përgatitje dhe njohuri të mjaftueshme rreth metodave të mësimdhënies, dhe nuk kemi nevojë për gjëra të reja. Të tjerët do të arsyetoheshin se për gjëra të reja duhet energji, shumë kohë, dhe shumë shpenzime financiare për të trajnuar profesorët. Nuk diskutohet se ndryshim është një proces i gjatë dhe i dhimbshëm , shumë njerëz  kanë frik dhe tremben për të pranuar dhe për t’u përshtatur me të. Jam thellë i bindur se këto nuk janë justifikime, madje janë shumë të paarsyeshme.  Në të kundërtën, e ardhmja e Universiteteve tona, apo e ardhmja e studenteve se sa do të jenë të efektshëm në profesionin e tyre, varet nga metodat e mësimdhënies, nga mënyra e përvetësimit të dijes për t’i zbatuar ato në praktikë. Duke u bazuar në këto që thamë më lartë, Universitetet detyrimisht duhet përqafojnë këto ndryshime dhe të nxisin stafin e tyre akademik që të përdorin metoda bashkëkohore të mësimdhënies. Ndoshta, dikush do të thoshte, ky është cenim i të drejtës së pedagogut për të dhënë mësim sipas mënyrës se tij, nuk e mohoj lirin akademike, por edhe kjo liri ka kritere dhe norma të përcaktuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë dhe nga vet Universitetet. Çdo profesor është i obliguar në fillim të semestrit të harton dhe prezanton sylabusin (programin) para studenteve.  Gjithashtu, në përfundim të një semestri studentët e bëjnë vlerësimin e performancës së profesorit, për lëndën, metodat dhe gjitha aspektet që kanë të bëjnë me mësimdhënien. Por, gjitha këto mos ndoshta janë formale…

Atëherë, çfarë duhet të bëjnë universitetet tona, të kërkojnë dhe të hulumtojnë cilat metoda janë më efektive dhe kanë dhënë rezultate, të vendosin cilat metoda duhet zbatuar nga mësimdhënësi gjatë procesit të mësimdhënies, të monitorojnë dhe vlerësojnë performancën e profesorëve si dhe të sanksionohen ata të cilët nuk i praktikojnë. Kjo mundësi do të inkurajonte Universitet të përdorin autoritetin dhe të ndikojnë tek stafi akademik që të praktikojnë metodat e mësimdhënies bashkëkohore.

Një arsyet tjetër pse studentet nuk mësojnë, mos metodat e mësimdhënies të cilat përdoren janë jashtë botës së studentëve ? A mos ndoshta studentët janë autoriteti më i mirë për të vendos se, cilat metodë mësimdhënieje është me e përshtatshme për ta ?! Mos studentët nuk dalin mirë me studime është sepse profesorët përdorin metoda të vjetra të mësimdhënies, dhe studentet tanë janë në pozicion ku nuk mund të vendosin se cilat janë metodat me efektive për ta. Pse profesorët e kanë këtë shqetësim të pyesin studentët se cilat janë metodat më të mirë për ta, nuk e përjashtoj se nuk ka profesor të tillë, por nga përvoja ime në Arsimin e Lartë dhe bisedat me studentët kjo ndodh shumë rrallë. Pse jemi ne profesorët aty…për studentin dhe në shërbim të studentit, apo për veten tonë ?! Studentët kanë interes të marrin studime më të mira që ata mund të marrin. Studentet pyeten për shumë gjëra, por jo për metoda të mësimdhënies. Po t’i krijohet kjo mundësi atëherë kemi bërë të mundur që vërtet studenti të jetë në qendër të vëmendjes, duke marrë parasysh edhe mendimin e tij, mbi efektshmërinë e metodave të mësimdhënies që janë përdorur në një lëndë, dhe cilat duhet apo nuk duhet përdorur.

Për këtë problematik ka shumë për të thënë, dhe mundë të ketë mendime ndryshe të cilët nuk janë dakord që ne duhet të marrim mendimet e studenteve më seriozisht, madje mund të ndihen skeptik që studentët të vendosin për metodat e mësimdhënies. Ju mund të mendoni se studentëve nuk u intereson edhe aq se çfarë metoda përdorin profesorët e tyre, por studenteve u intereson më shumë nota e tyre, pa i kushtuar shumë rëndësi vlerësimit të metodës së përdorur. Nga përvoja ime si profesor, e them lirisht se nuk është kjo e tëra…

Apo, mund të mendohet se profesorët e zotërojnë lëndën e tyre dhe e dinë shumë më mirë se studentët se cilat metoda duhet përdorur për lëndën e tyre, nga fakti se kanë më shumë eksperiencë në përdorimin e metodave të ndryshme të mësimdhënies sesa studentët e tyre. Nuk diskutohen as këto aspekte, por një gjë është e vërtet, koha, vendi dhe studentët janë të ndryshëm…

Fare në fund, edhe nëse i mendojmë gjitha këto, dhe jemi në dakord që profesorët duhet t’u lejohet të japin mësim ashtu si ata mendojnë se është më e mira, të vendosin vet se cilat metodat e mësimdhënies duhet përdorur…profesorët, gjithashtu duhet të përdorin metoda motivues, nxitëse, hulumtuese, kërkuese, ndërvepruese dhe të përshtatshme për kursin e lëndës dhe studentët e tyre, nëse vërtet duam që studentët tanë të mësojnë më shumë dhe të arrijnë rezultate të dëshirueshme.

Shkruan: Lon Laska, Profesor Universitar