Publikohen taksat e papaguara të Trumpit

Presidenti amerikan Donald Trump ka paguar 38 milionë dollarë taksa për më shumë se 150 milionë dollarë të ardhura të regjistruara në vitin 2005.

Dy faqe të listës së tij të taksave u bënë publike nga rrjeti televiziv amerikan “MSNBC”, që nuk dha detaje mbi burimin e këtyre të ardhurave, ose për ato që mund të jenë dhënë për bamirësi.

Shtëpia e Bardhe reagoi menjëherë, duke e cilësuar të jashtëligjshëm këtë publikim.

Donald Trump refuzoi t’i deklaronte taksat gjatë fushatës elektorale, duke shkelur kështu një traditë shumë të hershme, e tani që ka fituar mund edhe të mos i publikojë aspak.

Një artikull i gazetës “New York Times” në muajin tetor tregonte se, në deklarimin e taksave të vitit 1995, kur ishte asokohe kandidat republikan, raportonte një humbje prej 916 milionë dollarësh.

Sipas prestigjiozes amerikane, kjo i ka krijuar Trumpit mundësinë e mospagimit të taksave federale për deri në 18 vite radhazi. Humbja e deklaruar prej gati një miliard dollarësh ishte e mjaftueshme për të shmangur rreth 50 milionë dollarë në vit pagesa të tatimit mbi të ardhurat.

38 milionët e paguar nga Trump tregojnë një nivel tatimi më të lartë se 24%, që paguajnë amerikanët e shtresës së mesme, por më i ulet se 27.4 përqindëshi i personave që fitojnë më shumë.

SHPËRNDAJE