Takimi i radhës në mes Rames dhe Vuçiqit, për ta vulosur këtë pakt, raportojnë mediat serbe, do të mbahet me 21 dhjetor në Durrës.

Bashkëpunimi ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, për krijimin e “Mini Shengenit” duket se do të finalizohet më 21 dhjetor në një takim që do të mbahet në qytetin bregdetar të Durrësit në Shqipëri, raporton Gazeta Express.

Në këtë takim përveç krerëve të Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë Veriore, thuhet se do të marrë pjesë edhe shefi i ri i Politikës së Jashtme të BE’së, spanjolli Josep Borel, i cili para pak kohësh kishte bërë një deklaratë në të cilën kontestonte shtetësinë e Kosovës, duke thënë se “Kosova do të jetë shtet kur të njihet nga Kina, Rusia e India”.

E ky projekt Rama-Vuçiq do të ketë edhe një hartë të vetën, në të cilën në mënyrë skandaloze Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.

Gazeta serbe “Blic”, në një shkrim të gjatë të publikuar rreth këtij projekti, ku flitet për përfitimet e Serbisë dhe sfidat me të cilat do të përballet Beogradi, ka publikuar edhe hartën tragjike.