Nën moton “Merr frymë me dituri”, Klinika për pulmologji dhe alergologji – Shkup sot do ta shënojë Ditën botërore të Sëmundjeve kronike obstruktive në mushkëri (SKOM).

Në kuadër të shënimit do të mbahet punëtori, në të cilën do të përfshihen pacientët në ambulanca dhe spitale me SKOM, ndërsa do të shpërndahen edhe fletushka me informacione dhe këshilla.

SKOM është sëmundje progresive dhe ireverzibile në mushkëritë e bardha e cila çon drejt frymëmarrjes së vështirësuar dhe tendencë për sëmundje serioze.

Klinika për pulmologji dhe alergologji çdo vit merr pjesë në këtë ngjarje globale, me organizimin e ngjarjeve të ndryshme, prej ligjëratave edukative për opinionin më të gjerë, punëtori për pacientët deri në diskutime profesionale në nivel të punonjësve shëndetësorë.

Nevojën për këtë e potencojnë edhe të dhënat për të sëmurët të cilët janë trajtuar në ambulanca dhe në spitale prej SKOM të cilat tregojnë trend rritës në tre vitet e fundit. Në vitin 2014 ka pasur 3.195 pacientë të trajtuar në ambulanca dhe 523 në spitale, në vitin 2015, 3.737 në ambulanca dhe 586 në spitale dhe në vitin 2016, 4.320 pacientë në ambulanca dhe 580 në spitale.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore për Shëndetësi, 5 deri në 10 për qind e të gjithë personave mbi moshën 40 vjeçare kanë SKOM, me përfaqësim më të madh te burrat në raport me gratë. Gjithsej rreth 3 milionë raste të vdekjes në vit janë shkaktuar nga SKOM. Për qindja më e madhe prej tyre (mbi 90 për qind) ndodhin në vendet me zhvillim të dobët dhe të mesëm.

Shkaku kryesor për SKOM është pirja e duhanit. Faktorë të tjerë të rrezikut janë ndotja e ajrit dhe ekspozimi profesional në gazra apo pluhur. Disa raste të SKOM paraqiten si rezultat i astmës shumëvjeçare apo faktorëve gjenetik. Simptoma më të zakonshme të kësaj sëmundje janë frymëmarrja e vështirësuar, mungesa e ajrit, kolla me sekret, të shoqëruara me molisje, humbjen e apetit dhe peshës trupore.