Klodian Muço

Sipas një studimi të publikuar nga UNDP-ja në 2018, 52 për qind e shqiptarëve dëshironin të emigronin. Ndërsa në 2007, dëshirën për të emigruar e kishte vetëm 44 për qind e popullsisë.

Në Shqipëri, rritja e dëshirës për të emigruar është ndër më të lartat në botë. Ne renditemi mbas Togos, Siera Leones, Kongos dhe Sirisë, dhe jemi pothuajse në të njëjtin nivel me Haitin si emigrantë potencialë.

Dëshira e popullsisë për të ikur nga Shqipëria po kalon edhe atë të viteve ’90. Por, nëse në vitet e para të tranzicionit iknin kryesisht të rinjtë pa punë, pa të ardhme dhe jo shumë të arsimuar, sot po ikin dhe kërkojnë të emigrojnë intelektualët dhe profesionistët

Mund të quhet ndryshe si “hemorragji”, pasi çdo vit gati 20 për qind e maturantëve më të mirë aplikojnë për të studiuar jashtë shtetit, pa harruar këtu edhe dhjetëra mijë të tjerë të rinj shqiptarë të arsimuar mirë, që kërkojnë fatin e tyre jashtë Shqipërisë.

Sipas një studimi të kryer nga Gedeshi dhe King në 2018, rreth 180 studentë të diplomuar në Infermieri dhe Mjekësi kërkojnë të ikin çdo vit në Gjermani, por jo vetëm. Në tre-katër vitet e fundit janë larguar rreth 30 për qind e tyre.

Kur pyet studentët nëpër auditorë se çfarë do të bëjnë pasi të mbarojnë shkollën, shumica e tyre përgjigjen se dëshirojnë të largohen nga Shqipëria. Arsyetimi i motivimit për t’u larguar është pothuajse i njëjtë nga të gjithë. Niveli i ulët i rrogave, që nuk del as për të “ngrënë bukë”, mungesa e së ardhmes dhe progresit në karrierë dhe humbja e shpresës se ky vend do të ketë një zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen dhe mirëqenie për qytetarët.

Formimi i këtyre të diplomuarve ka pasur një kosto për Shqipërinë, pasi shteti investon rreth 490 euro në vit për çdo student deri ditën e diplomimit. Pa harruar këtu shpenzimet e familjarëve, apo taksën e regjistrimit, që e paguajnë të gjithë privatisht.

Në Shqipëri, gati katër për qind e totalit të shpenzimeve familjare shkon për arsimimin. Kjo përqindje është gati katër herë më e lartë se e familjeve evropiane. Mesatarja e Bashkimit Evropian është 1.1 për qind, ndërsa në disa prej vendeve të rajonit harxhojnë edhe më pak, në Serbi apo Mal të Zi harxhojnë diçka më pak se një për qind.

Gjithë këto shpenzime për arsimin në Shqipëri, që shkojnë si avantazh për të tjerët, për Gjermaninë, Italinë, Amerikën. Pra, një vend i varfër si Shqipëria financon shkollimin e kuadrove të së nesërmes për t’i shfrytëzuar vendet e mëdha. Ndërsa te ne, për t’i bërë ballë këtij “evazioni të rinjsh brilantë”, gjejnë si zgjidhje “importin e imigrantëve” nga vendet afrikane. Por, harrojnë faktin se, edhe sikur të duan ata, vetëm bileta e ardhjes nga vendi i tyre deri në Shqipëri u kushton sa rroga mesatare e një viti të një punëtori krahu. Harrojnë po ashtu se në Shqipëri me 26 mijë lekë në muaj nuk dalin as për të ngrënë, pale për të paguar qira, korrentin, ujin etj. Ata s’do kenë mundësi as të kursejnë lekët e biletës së kthimit në një vit pune në Shqipëri. Pa harruar këtu që ata janë të pakualifikuar, nuk zgjidhin problemin e “mungesës së profesionistëve”.

Sigurisht që vendi ynë mund të investojë edhe në formimin e këtyre imigrantëve imagjinarë, por në këtë pikë paradoksi është evident. Që ne të investojmë për formimin imigrantëve, ndërkohë që emigrantët tanë të formuar japin kontributin e tyre në vendet e zhvilluara.

Një vend “normal”, sot do fliste për frenimin e emigracionit, jo për zgjidhjen e tij me anë të imigracionit.

Hemorragjia e të rinjve që largohen është një problem i rëndësisë së veçantë, pasi sjell pasoja të rënda për ekonominë e vendit. Për ta pasur më të qartë këtë gjë, mjafton të shohim pak shifrat në vijim.

Sipas të dhënave të Eurostat, në 2017 rreth 52 mijë shqiptarë emigruan në një nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa në 10 vitet e fundit, numri i shqiptarëve që kanë lënë Shqipërinë për të shkuar në një nga vendet e Bashkimit Evropian ka shkuar në 590 mijë veta.

Nëse do të analizonim emigracionin shqiptar sipas moshave, do të vërenim se mbi dy të tretat e personave që kanë lënë përfundimisht Shqipërinë, sipas UNICEF-it janë nën moshën 30 vjeç, ndërsa ata nën moshën 20 vjeç përbëjnë 16 për qind të emigrantëve.

Vetëm në pesë vitet e fundit kemi një rënie të regjistrimeve nëpër shkolla me 12.3 për qind. Emigrimi i viteve të fundit po rrezikon rëndë ekonominë dhe të ardhmen e vendit.

Nëse në vitet ’90 kishim katër kontribuues për një përfitues pensioni, sot jemi në nivelet e 1.5 kontribuuesi për një përfitues.

Nëse nuk do të ndryshojë ky trend, më 2032 sistemi i pensioneve do të kalojë në kolaps. Rreth 30 për qind e mësuesve do të ngelen pa punë.

Nëse ikin të rinjtë, sektori i ndërtimit, që drejtuesit e kanë për zemër, do të kalojë në kolaps pasi s’do ketë “më njerëz” që të marrin me qira apo blejnë apartamente të reja.

Do të reduktohet konsumi e do të rriten ndjeshëm shpenzimet për shëndetësinë, pasi mosha e tretë konsumon pak veshje e ushqime dhe shumë ilaçe e shërbime shëndetësore.