Punëtorët e Jugohromit që nga fillimi i muajit mars kanë ngelur pa rroga për shkak se u janë ndërprerë kontratat e marrëdhënies së punës nga drejtuesit e fabrikës, shkruan gazeta Koha. Pas këtij vendimi, kanë reaguar nga Sindikata e punëtorëve të këtij kombinati metalurgjik, prej nga thonë se punëtorët tashmë janë lënë në rrugë dhe nuk kanë të ardhura për të mbajtur familjet e tyre.

 

“Pas gjitha presioneve dhe kërkesave që i kemi bërë ndaj institucioneve shtetërore, ata janë treguar të shurdhër dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje, megjithëse në takimin e fundit që kemi pasur në qeveri me kryeministrin Emil Dimitriev ku ishte edhe ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti, kemi disa sinjale pozitive, mirëpo presim që qeveria të ketë një mbledhje ditën e premte dhe shpresojmë në një vendim pozitiv që të rifillojë me punë kombinati Jugohrom. Ne nuk mund të presim deri ditën e premte, sepse resurset tona financiare janë harxhuar, pasi punëtorët nga një marsi janë larguar nga puna dhe kanë ngelur në rrugë”, deklaroi Bajram Amiti, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Jugohromt.

Sipas Bajramit, nëse qeveria sjell vendim negativ, atëherë sërish do të vazhdojmë me presionet dhe kësaj radhe do të jenë më të fuqishme.

Ndryshe, pas vendimit të Inspektoratit shtetëror të ekologjisë për të mbyllur kombinatin Jugohrom si ndotës më i madh në Pollog, protestat e shoqatave joqeveritare janë ndërprerë, kurse tashmë protestojnë punëtorët e Jugohromit, të cilët kërkojnë që qeveria të gjejë zgjidhje për këta punëtorë që kanë mbetur në rrugë.