PUSHTETI QË LEJON MBI VARREZAT E TË PARËVE TANË TË NDËRTOHEN OBJEKTE KOMERCIALE QË NUK U DIHET PRONARI AS DESTINIMI, NUK E MERITON VOTËN E QYTETARËVE, POR DËNIMIN E ASHPËR

Për më tepër lexo:

TETOVA, NGA QYTETI I KRENARISË SONË PO SHNDËRROHET NË ÇERDHE KRIMI

Tetovë, 23.12.2015

Një qytetar i Tetovës, i shqetësuar nga niveli i lartë i pranisë së materieve helmuese në ajrin mbi qytetin e Tetovës dhe jo vetëm, u sugjeron bashkëqytetarëve të bëjnë kontrolle të mushkërive, në mos janë pacientë potencial për Spitalin e mushkërive në Leshkë.

Udhëzimi për në spitalin e mushkërive në Leshkë do të ishte fat i madh në krahasim me këtë fatkeqësi, sepse drejtimi më i sigurt ku të çon ky helmim është afër Teleferikut, në varrezat myslimane të qytetit të Tetovës. Por, edhe këtu do të ndjeheni ngushtë, sepse dora e zgjatur e krimit të organizuar edhe këto varreza ka filluar t’i uzurpojë, me ndërtimin e objekteve mbi varrezat e të parëve tanë, ndërsa ne heshtim, bëjmë sikur nuk shohim e nuk ndjejmë, nuk reagojmë, me shpresë se, vdekja nuk na vjen asnjëherë derisa ky pushtet vazhdon të jetojë.

Kemi heshtur edhe më parë, kur përmes varrezave të Tetovës kryq e tërthorë është hapur rruga mbi varrezat e të parëve tanë, nga frika e pushtetit, ose naiviteti se paria e qytetit i ka bërë ,,nder Titos” për ardhjen e tij në këtë qytet!

Nuk kemi reaguar dhe kemi heshtur, sikur kjo të ndodhë me varrezat e ,,paditura” jo me varrezat e baballarëve dhe gjyshërve tanë, kur mbi 4000 kamionë prurje nga vërshimet, gurë e rërë, në vitin 1979, janë shkarkuar mbi këto varreza!

Jemi shtirur sikur nuk shohim e dëgjojmë, kur mbi këto varreza bëhet ditë tregu, dhe mbi po këto varreza është vendosur tregu i plaçkave të grave, me vite të tëra!

Vazhdojmë të heshtim edhe sot, kur mbi këto varreza hapen gropa gjigante dhe ndërtohen objekte për veprimtari të dyshimta; heshtin organet e pushtetit, organet e BFI, mediumet, qytetarët, intelektualët dhe paria e qytetit! Kësaj radhe jo nga frika se këtë shkelje na e bën ,,pushteti komunist, sllav e jugosllav”, por nga papërgjegjësia jonë.

Deri kur do të flenë qytetarët e Tetovës, sikur të jenë turistë me qëndrim të përkohshëm në qytetin e tyre, vendlindjen të cilën duhet t’ua lënë trashëgim brezave të ardhëm: të pastër, të rregulluar, me pamje të bukur qyteti dhe të denjë për jetesë?!