Atë që ka kërkuar senatori demokrat Chuck Schumer dhe një kongresmen republikan me shumë ndikim nga FBI-ja, duket se është gati ta ofrojë vet presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Kongresmeni republikan kishte kërkuar nga Byroja Federale e Hetimit të dorëzojë brenda javës të gjitha dokumentet me peshë që disponon, duke nënkuptuar këtu edhe transkriptin e asaj që është diskutuar mes presidentit Trump dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, dhe ambasadorin rus në SHBA.

Por për këtë ka reaguar vet presidenti Putin këtë të mërkurë, i cili ka këmbëngulur se Trump nuk i ka kaluar ndonjë sekret diplomatit rus gjatë takimit të javës së kaluar në Uashington, e këtë mund ta provojë duke ofruar transkriptin.

Duke folur në një konferencë për shtyp në krah të kryeministrit italian, Paolo Gentiloni, Putin tha se Rusia është e gatshme të dorëzojë bisedën në takimin Trump-Lavrov, nëse kjo gjë do t’i ndihmonte ligjvënësit amerikanë të merrnin garancitë mbi mosdeklarimin e informacioneve “top secret”.

Dy zyrtarë amerikanë thanë të hënën se Trump ka zbuluar informacione të klasifikuara në atë takim, ku përfshihet edhe një operacion i planifikuar i Shtetit Islamik, duke e përfshirë kështu Shtëpinë e Bardhë në një tjetër debat kontrovers, vetëm pak kohë nga marrja e detyrës si president nga ana e ish-manjatit të pasurive të paluajtshme, pas skandalit të raportuar nga mediet amerikane se Trump i ka kërkuar ish-kreut të FBI-së, James Comey të ndalte hetimet ndaj Flynn dhe përfshirjes ruse në zgjedhjet amerikane.