Presidenti i Rusisë Vladimir Putin telefonoi Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.

Kremlini ka njoftuar zyrtarisht telefonatën mes Putin dhe Trump gjatë ditës së sotme. Ata biseduan për terrorizmin ndërkombëtar, ekstremizmin dhe për zgjidhjen e krizës në Siri.

Njoftohet se Presidenti Putin i ka thënë presidentit të ri amerikan se Rusia është e gatshme që të ruajë dialogun konstruktiv me administratën e re të SHBA, bazuar në parimet e respektit të ndërsjelltë.

Sipas Kremlinit, kreu i shtetit rus theksoi rëndësinë për ndërtimin e një boshti të fortë për marrëdhëniet dypalëshe të zhvillimit ekonomik. Trump dhe Putin ranë dakord për të mbajtur kontakte të vazhdueshme telefonike dhe që së shpejti të planifikojnë një takim mes tyre.