Në zyrën me numër 24 në Qendrën për punë sociale në Tetovë punoi për 30 vite me radhë Hatixhe Islami. Në zyrën e saj tashmë qëndron vetëm fotografia e saj. Fizikisht nuk do të jetë në mesin e punëtorëve dhe kolegëve por ata do ta kujtojnë çdoherë si punëtore të zellshme, apo siç thonë, dera e saj gjithmonë ishte e hapur për të gjithë. Ndarja nga jeta në aksidentin tragjik në Bullgari, ka lënë pa fjalë të gjithë kolegët të cilët me lot në sy sot vendosën lule në zyrën ku ajo kishte punuar.

“Mendoj se ajo ka lënë gjurmë si një profesioniste, ajo kishte një karakter të veçantë që e kanë shumë pak njerëz si dhunti. Në derën e saj gjithmonë çdo kush mund të trokiste, ajo ishte e gatshme të ndihmojë, të jep këshilla, të pranojë këshilla, me shkuarjen e saj të parakohshme, në qendrën për punë sociale do të mbetet një boshllëk që nuk do të plotësohet”, tha Darko Obadiç drejtor. Ajo prej ditës së djeshme nuk do të jetë në krye të detyrës për të dhënë kontributin e saj si psikologe për qytetarët e Tetovës. Kolegët kanë vetëm fjalë të mira dhe do t`u mungojnë shumë.

“Kur kuptuam se nuk është në mesin tonë, ishte shokuese, Hatixhja jonë e dashur ishte një personalitet shumë i veçantë, një profesioniste, si kolege na nderonte, na ngushëllonte, kishte tolerancë ndërkolegiale dhe njerëzore, një grua e jashtëzakonshme. Le të prehet e qetë. Do të na mungojë shumë, shumë, sepse ajo ka patur një periudhë të gjatë si punëtore, është një humbje e madhe”, thonë kolegët e saj në qendrën për punë sociale në Tetovë. Përveç familjes, Hatixhe Islami do të mungojë edhe kolegëve. Ata që e mbajnë mend që nga fillimet e punës së saj kanë vetëm përshtypje të mira. Në kohën kur më së shumti i duhej institucionet ajo u nda nga jeta.

“Humbëm një njeri të madh, njeri kualitativ që nuk do të zëvendësohet. Shumë rëndë e kemi përjetuar humbjen e saj. Nuk do të ketë njeri tjetër si ajo në këtë qendër. Ajo punoi 30 vite këtu, dha një kontribut të madh për qytetarët, për të afërmit, për kolegët, shkoi para kohe, shkoi kur na duhej më shumë”, tha Hisen Fetai, punëtorë në këtë qendër. Ish drejtori i kësaj qendre, Mevaip Abdiu, kishte patur fatin që Hatixhen ta njeh nga bankat e para shkollore.

Ai e kujton si një personalitet të veçantë e cila do t`i mungojë, së pari familjes, pastaj edhe qytetarëve që kishin nevojë për këshillat e saj. Hatixhe Islami u lind në Tetovë në vitin 1960. Ajo ka punuar në Universitetin Evropës Juglindore në Tetovë dhe në disa universitete të Kosovës. Si psikologe punoi rreth 30 vite në qendrën për punë sociale në Tetovë. Udhëtimi i saj i fundit në Turqi, u kthye në një tragjedi të rëndë pasi që autobusi me të cilën kthehej u aksidentua në Bullgari ku edhe humbi jetën bashkë me 46 viktima të tjerë. (koha.mk)