Këtë javë, si javën e kaluar, shkollat e mesme në vendin tonë vazhdojnë me mbajtjen e testit të maturës shtetërore, transmeton Portalb.mk.

Këtë javë, të hënën, u realizua testimi në lëndën e biologjisë për të gjithë qytetarët. Por në testin e biologjisë në gjuhën shqipe ka ndodhur një gabim teknik, për të cilin ka reaguar edhe Qendra shtetërore për provime (QSHP).

“Vetëm në faqen 9 ka ndodhur gabim teknik i paqëllimshëm gjatë shënimit të pikëve të cilat i përkasin detyrës 31 (është shkruar 1 pikë, në vend të 3 pikëve) dhe detyra 32 (është shkruar 1 pikë, në vend të 4 pikëve)”.

Në vazhdim të reagimit, QSHP kërkon falje për gabimin teknik, duke treguar gjithashtu se si do të zgjidhet ky gabim në përpilimin e rezultatit përfundimtar.
“ Përgjigjet plotësisht të sakta të nxënësve do të vlerësohen në mënyrë përkatëse, maksimum 3 gjegjësisht 4 pikë.”.