Qeveria miratoi masa të reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie të Qeverisë së Kosovës ku thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhjen elektronike, e 11-ta me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për ndërmarrjen e masave të reja, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe të kontrollit të infeksionit me COVID-19 në katër komunat veriore të Kosovës.


“Me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të pandemisë COVID-19, Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që duke filluar nga data 8 korrik 2020, nga ora 21:00 deri në orën 05:00, të ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, nga kjo ndalesë do të përjashtohen rastet urgjente shëndetësore; rastet e nevojës së kujdesit për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, në rastet kur të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten; rastet e kërkimit të ndihmës nga institucione përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare; rastet e vdekjes së anëtarit të familjes; dhe rastet e nevojave të përkujdesit ndaj kafshëve shtëpiake, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia.

Ndërkaq, në komunikatë theksohet se në asnjë rast nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar.

“Vendimi i miratuar sot nga kabineti qeveritar ndalon hyrje-daljet 24 orë për personat e infektuar, ata të kontaktit dhe personat e dyshuar në Komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në afat prej 14 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, përveç rasteve të përjashtuara të përmendura më lart”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, ky vendim është propozuar nga Ministri i Shëndetësisë pas kërkesës, e cila është bërë nga kryetarët e këtyre komunave, të cilët kryesojnë shtabet lokale në Komunën Mitrovicës së Veriut, Komunën e Zubin Potokut, Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zveçanit. Vendimi është mbështetur edhe në analizimin e situatës epidemiologjike nga profesionistët e fushës në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, meqenëse ka rritje të numrit të qytetarëve, të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 në komunat përkatëse, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të COVID-19.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë konferencës për medie tha se në veri të Republikës së Kosovës vlejnë vetëm ligjet e Kosovës dhe ato zbatohen nga organet e rendit atje.