Tentativa për rrëzimin e qeverisë së “Përzhinos” rezultoi e pasuksesshme.

Me 32 vota PRO dhe 55 KUNDËR nuk kaloi propozimi i opozitës për shfuqizimin e saj.

Paraprakisht deputetët e shumicës pohonin se edhe ata janë për shfuqizimin e këtij modeli, por se kjo duhet të bëhet me konsensus mes partive më të mëdha politike.

Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, në arsyetimin e tij tha se Qeveria teknike e ashtuquajtura e Përzhinos është treguar si jofunksionale dhe se duhet të shfuqizohet. Me marrëveshjen për Qeveri të Përzhinos në vitin 2016 u parapa që 100 ditë para zgjedhjeve të zgjidhet një qeveri teknike ku merr pjesë edhe opozita.

“Këtë zgjidhjen ligjore e parashtrojmë për arsye se për të njëjtën tashmë është debatuar në një prej takimeve të fundit të partive më të mëdha politike, e dimë se ligji është sjellë me konsensus dhe mendojmë se sipas asaj që është biseduar, i njëjti duhej të tërhiqej që në shtet të mund të kthehet mënyra për sjelljen e ligjit për Qeveri dhe funksionimin e qeverisë në periudhën parazgjedhore dhe pas zgjedhjeve me një qëllim, për shkak se jo funksionimin e kësaj zgjedhjeje ligjore kishim mundësi ta shohim disa herë”, tha Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.